10 gola në 13 ndeshje! Sulmuesi shqiptar në super formë, por Kosova nuk e thërret

Mirlind Daku po vazhdon të shkëlqej në Superligën e Sllovenisë, pasi aktualisht është golashënuesi më i mirë atje.Në javën e 13-të, Mura e lojtarit kosovar u takua me Radomlje, ku fituan 3-0.

Pas vetëm tre minutash lojë, vendasit kaluan në epërsinë me golin e Dakut, me Maruskon që ishte asistuesi. Golin e dytë për Muran e shënoi Cipot pas gjashtë minutash nga i pari, ndërsa Kous ishte asistuesi.

Për të bërë fitoren sa më bindëse, Daku e shënoi të dytin personal dhe të tretin për skuadrën e tij në minutën e 74-të. Me këto dy gola, sulmuesi ynë ka shkuar në kuotën e dhjetë golave në 13 xhiro të zhvilluara.

Edhe pse po kalon një super formë këtë sezon, Daku është injoruar nga Alain Giresse, trajneri i Kosovës për arsye që nuk bëhen të ditura.

Në portale prej shumë kohësh ka fjalë që Mirlind Daku nëse do të ftohej nga Shqipëria nuk do t’i thoshte “jo”, edhe pse kjo gjë duket e vështirë që të ndodhë.

Ish-sulmuesi i Kukësit po kalon sezonin e tij më të mirë në aspektin personal dhe duke parë statistikat, sigurisht që e meriton një ftesë nga Kosova.