Aksi Kardhiq-Delvinë hapet për qarkullim në 2 korrik

Punimet për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, janë drejt përfundimit.
Duke nisur nga data 2 korrik parashikohet që ky aks të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Aktualisht po betonohen metrat e fundit të tunelit, ndërsa paralelisht po vijon puna edhe për sistemin e ndriçimit dhe atë elektro-mekanik.
Në të gjitha lotet e tjera të këtij aksi, pothuajse ka përfunduar edhe elementi i fundit, ai i vendosjes sinjalistikës horizontale dhe vertikale të nevojshme.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi ndoqën nga afër punimet dhe ecurinë e tyre në tunelin e Skërficës.
Drejtori Berberi bëri të ditur se kanë mbetur për t’u betonuar 200 metrat e fundit të tunelit. Krahas rrugës Kardhiq-Delvinë do të bëhet e mundur edhe ndërtimi i dy rrugëve, asaj të Fushëbardhës dhe Senicës, për t’i lidhur këto dy fshatra me rrugën kryesore.
Ministrja Balluku vlerësoi punën e bërë deri më tani duke shtuar se ndërtimi i këtij segmenti rrugor, jo vetëm shkurton distancën drejt bregdetit dhe rrit sigurinë rrugore, por t’i japë një zhvillim akoma edhe më të madh turizmit, si për zonën e Sarandës ashtu edhe atë të Gjirokastrës.
“Me përfundimin e këtyre metrave të fundit që kanë mbetur për betonim ne kalojmë në pjesën tjetër, atë të asfaltimit të aksit hyrës dhe aksit dalës të këtij tuneli dhe të të gjithë tunelit, vijëzimin dhe gjithçka tjetër do të duhet. Ka pasur një pritje shumë të gjatë nga të gjithë qytetarët, të gjithë vizitorët, bizneset, kompanitë turistike për këtë aks lidhës, kështu që çdo ditë që dorëzohet para aftit do jetë shumë e vlerësuar nga të gjithë”, u shpreh Balluku.
Për kryebashkiakun Golemi ndërtimi i aksit rrugor Kardhiq-Delvinë po pritet prej vitesh nga banorët e Gjirokastrës dhe operatorët turistikë pasi do të afrojë dy qytete që kanë një numër të konsiderueshëm vizitorësh, Sarandën dhe Gjirokastrën.







