Antonio Cassano i tërheq veshin Inzaghit: Asllani është lojtar shumë i fortë, por ka frikë prej trajnerit

Antonio Cassano ka komentuar ndeshjen e fundit të Interit që e humbi kundër Romës në shifrat 1-2. Figura e njohur e futbollit italian u shpreh se Inzaghi nuk i beson elementeve të rinj, duke e kritikuar edhe për faktin se nuk e aktivizuar Kristjan Asllanin më herët, por për herë të parë ndaj Romës.
“Problemi është në mesfushë. Kanë aktivizuar Kristjan Asllanin ndaj Romës, këtë djalë të ri. Është shumë i fortë ky lojtar, por mund ta shihni sesa frikë ka, pasi trajneri nuk i beson. Inzaghi duhet të zgjohet, ndryshe është shumë vonë”, tha Cassano.
Interi pret në “San Siro” Barcelonën për ndeshjen e tretë të Ligës së Kampionëve dhe zikaltrit duhet të dalin patjetër me një rezultat pozitiv, duke parë dhe grupin në të cilin janë.
Në konferencën përpara ndeshjes, trajneri i zikaltërve, Simone Inzagi, u shpreh se skuadra është gati dhe gjithashtu se mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, do të luajë në këtë përballje.
A është një sfidë që do të vendosë shumë dhe a është Barça favorite? – Ne i dimë problematikat e ndeshjes. Ne e kemi paguar me Bajernin e Mynihut, pavarësisht një ndeshjeje të mirë. ne humbëm, ne nuk ishim të qartë në disa momente, nuk mbrojtëm mirë te goli i parë. E dimë që nesër do të kemi një ndeshje që do të vuajmë.
A është Asllani gati të luajë dy ndeshje radhazi? – Ne presim shumë nga të gjithë. Sa i përket Asllanit, ai bëri një ndeshje të mirë. ai bëri atë që ka treguar që në ditën e parë që ka ardhur te Interi. Pa dyshim që është gati për nesër.





