Armatosja e Ukrainës/ Putin paralajmëron Francën dhe Gjermaninë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun francez, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, mëngjesin e ditës së sotme.
Putin u tha të dy liderëve se furnizimi me armë për Ukrainën ishte i rrezikshëm, duke paralajmëruar për rreziqet e destabilizimit të mëtejshëm të situatës dhe përkeqësimit të krizës humanitare, bëri me dije Kremlini përmes një deklarate.
Ai u shpreh se ishte gati të kërkonte mënyra të tjera, për të transportuar grurin e bllokuar në portet e Ukrainës
“Rusia është e gatshme të ndihmojë në gjetjen e opsioneve për eksportin e grurit, duke përfshirë atë të drithërave në Ukrainë nga portet e Detit të Zi”, është shprehur Putin.
Ndër të tjera, Putin ka konfirmuar gjatë bisedës se Moska është e gatshme të rinisë negociatat me Kievin.





