Asllani mund të mësojë sot trajnerin e ri, pikërisht njeriu që i preu ëndrrën në mes Shqipërisë për t’u kualifikuar në Botëror

Interi luan sot një përballje mjaft të vështirë kundër Barcelonës. Zikaltrit ndodhen me numër të barabartë pikësh me katalanasit dhe sot kanë mundësinë të rrëmbejnë vendin e dytë në grup. Inzagi ka zgjedhur 11 lojtarët që do të hedhë në fushë nga minuta e parë.
Në formacionin e Interit nuk ka vend për Kristjan Asllanin këtë herë. Mesfushori shqiptar bëri debutimin e tij si titullar në fundjavë kundër Romës, provë të cilën e përmbushi me sukses.
Por Championsi është tjetër histori dhe Asllanit i duhet të presë për të zbritur nga minuta e parë në kompeticionin më të lakmuar në Europë.
Simone Inzagi po kalon një periudhë negative në krye të Interit. Zikaltrit kanë pësuar një tjetër humbje në kampionat dhe po lëshojnë terren në Serinë A.
Situata nuk është aspak e qetë te Interi dhe trajneri ndjen rrezikun për një shkarkim të mundshëm. Drejtuesit kanë nisur të piketojnë kandidatët e mundshëm për stolin e skuadrës dhe në listë gjendet edhe Paulo Souza.
Trajneri portugez ishte personi që një vit më parë i preu ëndrrën për në Botëror Kombëtares shqiptare, teksa Polonia e tij rrëmbeu atë fitore më 12 tetor në “Air Albania”. Tashmë Souza është larguar nga drejtimi i përfaqësueses polake dhe pret gabimin e radhës së Inzagit për të përfituar nga situata.





