Ç’do të bëjë Elon Musk me Twitter pas blerjes? Çfarë dimë dhe çfarë nuk dimë

Sipërmarrësi miliarder Elon Musk ra dakord të blinte Twitter Inc. për 44 miliardë dollarë, duke bërë një nga marrëveshjet më të mëdha të blerjes në histori për të privatizuar një platformë publike të rrjeteve sociale qw prej 16 vitesh është bërë një qendër e diskursit publik dhe një pikë ndezjeje në debate.
Investitorët do të marrin 54,20 dollarë për çdo aksion që zotërojnë në Twitter, tha kompania në një deklaratë dje. Çmimi është 38% më shumë se më 1 prill, ditën e fundit të punës përpara se Musk të zbulonte se do të bëhej aksioner në kompani, duke shkaktuar një rritje të aksioneve.
Musk, një nga përdoruesit më të mëdhenj të Twitter me më shumë se 83 milionë ndjekës, filloi të kritikonte Twitter duke pretenduar se algoritmet e kompanisë janë të njëanshme dhe ka shumë postime të automatizuara, të padëshiruara. Ai akuzoi gjithashtu se rritja e përdoruesve të Twitter ishte fryrë artificialisht nga robotët. Pasi refuzoi një ftesë për t’u bashkuar me bordin e kompanisë, më 14 prill u ofrua ta bënte Twitter-in privat, duke thënë se do ta bënte platformën një bastion të fjalës së lirë dhe duke hequr dorë nga sugjerime të tjera rreth ndryshimeve që do të bënte si pronar. Një platformë për deklaratat e lira? A do të thotë kjo se do të rikthejë llogarinë e bllokuar të ish-presidentit Donald Trump?
Idetë e tij varionin nga praktike – le të themi, lejimi i përdoruesve të modifikojnë tweet-et dhe luftimi i përhapjes së robotëve – në të çuditshmen, siç është propozimi për ta kthyer selinë qëndrore të kompanisë në San Francisko në një strehë për të pastrehët.
“Fjala e lirë është themeli i një demokracie funksionale dhe Twitter është sheshi dixhital i qytetit ku debatohen çështje jetike për të ardhmen e njerëzimit”, tha Musk në deklaratën të hënën. “Twitter ka potencial të jashtëzakonshëm – mezi pres të punoj me kompaninë dhe komunitetin e përdoruesve për ta zhbllokuar atë.”
Marrëveshja u miratua unanimisht nga bordi i kompanisë dhe pritet të përfundojë në fund të këtij viti. Musk, personi më i pasur në botë, siguroi 25.5 miliardë dollarë borxh dhe financim të huasë me marzh dhe do të sigurojë rreth 21 miliardë dollarë kapital për të financuar marrëveshjen, sipas deklaratës.
Marrëveshja e Musk për të blerë Twitter përfshin një dispozitë që miliarderit i kërkohet t’i paguajë kompanisë një tarifë nëse ai do të largohej ose marrëveshja prishet.
Marrëveshja nuk përfshin një “dispozitë go-shop”, që do të thotë se Twitter nuk lejohet të kërkojë oferta nga ofertuesit e tjerë të mundshëm.
Megjithëse Musk nuk ka përshkruar një plan specifik për të ndryshuar politikat e Twitter-it rreth moderimit të fjalës dhe përmbajtjes, blerja e kompanisë nga ana e tij do të thotë se një nga problemet më të mprehta të internetit tani është i tij. Musk ka folur hapur për planet e tij për ta bërë platformën një strehë për fjalim të papenguar në internet dhe është ankuar se shërbimi është shumë i rëndë kur bëhet fjalë për moderimin e Twitt-eve të përdoruesve.
Debati rreth lirisë së fjalës në mediat sociale ka qenë i ndezur prej vitesh — disa konservatorë thonë se Twitter, mëma e Facebook Meta Platforms Inc. dhe kompani të tjera interneti kanë shumë rregulla, ndërsa liberalët nuk mendojnë se rrjetet sociale shkojnë aq larg sa për të parandaluar urrejtjen fjalimet dhe sulmet. Është një konflikt që ka çuar në seanca të shumta dëgjimore në Kongres gjatë viteve dhe një lëvizje për të ndryshuar rregulloret e SHBA-së rreth përmbajtjes në internet.
Bërja e Twitter private shënon një kthesë dramatike për një kompani që filloi si një shërbim mesazhesh për ndarjen e përditësimeve të statusit tuaj me miqtë, por shpejt lulëzoi në një mënyrë që njerëzit të transmetonin postime të shkurtra me 140 karaktere ose më pak për një publik më të gjerë. Twitter hyri në mesin e politikanëve, të famshmëve dhe gazetarëve dhe zuri vendin përkrah mediave sociale si Facebook dhe YouTube si një bartës standardi i një mënyre të re, më interaktive të përdorimit të internetit.
Blerjet më të bujshme në botën e teknologjisë
Silicon Valley është një nga rajonet më të paqëndrueshme në botë. Nuk po flasim për fenomene natyrore, por për lëvizje të vazhdueshme të shkaktuara nga blerjet, motori i vërtetë në botën e teknologjisë
Musk blen Twitter – 44 mld $
Zhvillim historik për rrjetin social Twitter. Bordi drejtues i shoqërisë pranoi ofertën prej 44 miliardë dollarësh (rreth 41 miliardë euro) të Elon Musk – kjo është një nga blerjet më të mëdha, përfshirë edhe borxhin, të një kompanie në bursë.
Marrëveshja do të zyrtarizohet brenda vitit 2022 dhe Twitter do të largohet nga Wall Street, duke u bërë një shoqëri private në pronësi të Tesla-s.
Kontrolli i Twitter nga Musk, i cili e quan veten “absolutist i fjalës së lirë” shqetëson shumë vëzhgues të cilët kanë frikë se rrjeti social do të kthehet në një “arenë urrejtjeje”. Të tjerë janë të bindur se kryqëzata e tij “anti-censurë” nuk do t’i zgjidhë problemet e mediave sociale prej vitesh. Shefi i Tesla-s nuk i ka zbuluar ende lëvizjet e tij, duke thënë vetëm se Twitter duhet të “transformohet” dhe se duhet të bazohet në një algoritëm me burim të hapur.
2022, Microsoft blen Activision Blizzard – 68.7 mld $
Blerja më e madhe (dhe e kushtueshme) në historinë e Microsoft shënon edhe një shifër rekord në botën e teknologjisë. Në janar të vitit 2022, shoqëria e themeluar nga Bill Gates bleu Activision Blizzard për 68.7 mld $.
Nëse emri i kësaj shoqërie nuk është i dëgjuar për ju, me siguri njihni disa nga videolojërat e krijuara nga zhvilluesit e saj – nga Call of Duty te Candy Crush, nga Crash Bandicoot te Guitar Hero, e deri te World of Warcraft dhe Heartstone.
2022, Sony përgjigjet duke blerë Bungie – 3.6 mld $
Historia e rivalit të Microsoft në botën e videolojërave është Sony – e para ka në pronësi markën Xbox; e dyta, PlayStation. Vetëm një muaj pas blerjes së Activision Blizzard, vjen përgjigjja e Sony, që bleu zhvilluesin Bungie, e cila e ka bërë të famshëm Xbox me tituj si Saga e Halo. Kjo ishte një “shuplakë e vërtetë” me vlerë 3.6 mld $.
2020, Salesforce blen Slack – 27.7 mld $
Në fund të vitit 2020, në mesin e pandemisë, Salesforce, gjiganti kalifornian i software, bleu për 27.7 mld $, Slack, shoqëri për dërgimin e mesazheve mes punonjësve. E themeluar në vitin 2013, Slack deklaroi më shumë se 12 milionë përdorues në ditë në vitin 2019. Kjo është blerja më e rëndësishme e Salesforce në historinë e saj, që prej vitit 1999.
2018, IBM blen Red Hat – 34 mld $
Në vitin 2018, IBM vendos të blejë pionierin e software open-source Red Hat për 34 mld $. Kjo është blerja më e madhe në historinë e IBM. Qëllimi është të përshpejtohet kalimi në cloud computing për klientët e mëdhenj, si dhe nxitja e rritjes së të ardhurave të IBM.
2017, Google blen divizionin e smartphone të HTC – 1.1 mld $
Smartphone dhe realitet virtual – pikat e forta të HTC po tundojnë Google, i cili po investon gjithnjë e më shumë në pajisjet mobile dhe vendos të zgjerojë gamën e veprimit. Mountain View do të blejë në 2017-n pjesën më të madhe të divizionit që prodhon telefona, të kompanisë tajvaneze, për 1.1 mld $. Marrëveshja ka të bëjë me licencat e pronësisë intelektuale dhe blerja përfundon në fillim të 2018-s, pas miratimit nga autoritetet mbikëqyrëse.
2011, Google dhe blerja e Motorola, një gjysmë dështim – 12.5 mld $
Ajo që Google arriti me HTC duket të jetë një marrëveshje e mirë kur krahasohet me blerjen e mëparshme në sektorin “mobile”. Në vitin 2011, Google shpenzoi 12.5 mld $ për të blerë Motorola, një shifër shumë më e lartë se ajo e shpenzuar për divizionin e kompanisë tajvaneze.
Pionieri i atëhershëm në këtë sektor nuk u tregua një burim i kënaqshëm të ardhurash për Big G. Tre vite më vonë, në 2014, ai ia shiti Lenovo-s për 2.9 mld $.
2006, Google blen YouTube – 1.6 mld $
Në vitin 2006, kolosi i kërkimeve online bleu YouTube, një startup i ri, i lindur vetëm një vit më parë, i cili nuk kishte realizuar fitime. Çmimi prej 1.6 mld $ dukej i pakuptimtë për kronistët e kohës, por rezultoi një lëvizje gjeniale.
2005 – Google blen Android – 50 mln $
Është viti 2005, kur Google bleu Android, sistemi operativ mobile, për 50 mln $.
2014, Google dhe automatizimi i shtëpisë, blen Nest – 3.2 mld $
2014 është koha e automatizimit të shtëpisë dhe Google blen Nest, një prodhues i sistemeve të lidhura për shtëpinë, për 3.2 mld $.
2014, Facebook blen WhatsApp – 19 mld $
Për të rritur dominimin në komunikim, Facebook bleu në 2014-n, WhatsApp, për 19 mld $.
2012, Facebook, mbreti i blerjeve me Instagram – 1 mld $
Por më parë, Facebook pati vënë në shënjestër një tjetër rrjet social. Në 2012, Zuckerberg bleu Instagram për 1 mld $.
2014, lëvizja e madhe e Facebook, blen Oculus – 2 mld $
Realiteti virtual i pëlqen Zuckerberg, i cili në 2014 vendos të blejë për 2 mld $, Oculus.
Blerjet e Apple
Apple e ka ndërtuar pavarësinë në botën e teknologjisë nëpërmjet blerjeve. Në vitin 2008, ai bleu P.A. Semi, e cila sot prodhon procesorët e saj; në 2010-n, asistentin zanor Siri, dhe në 2015-n, Linx, e cila prodhon kamera.
2014, Apple blen Beats – 3 mld $
Në 2014-n, në kërkimin e vazhdueshëm për pavarësi, Apple bleu Beats, një prodhues pajisjesh audio, i cili zotëron një platformë transmetimi në internet, për 3 mld $.
2011, Microsoft blen Skype, 8.5 mld $
Në vitin 2011, një tjetër blerje bën bujë. Microsoft bleu Skype për 8.5 mld $.
2016, blerja e madhe e LinkedIn nga Microsoft – 26.2 mld $
Në 2016-n, Microsoft fokusohet te rrjetet sociale dhe blen LinkedIn, rrjeti social kushtuar profesionistëve. Çmimi është i lartë, 26.2 mld $. / Corriere della Sera





