Cikalleshi shënon golin e parë në Arabi në minutat shtesë, por ekipi i tij humbet në minutën 101

Sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi ka gjetur më në fund rrugën e rrjetës, në kampionatin e Arabisë Saudite ku u transferua merkaton e kaluar.

Kavajasi realizoi nga pika e bardhë e penalltisë golin e barazimit në minutën 90+2’ me fanellën e skuadrës së Al Khalej, në duelin ndaj Al-Fateh, i cili rezultoi dramatik.

Miqtë arritën të fitonin me rezultatin 1-2, falë golit të realizuar në minutën 90+11’. Gjyqtari kishte akorduar plot 10 minuta shtesë, teksa në frymën e fundit erdhi dhe goli i fitores për Al-Fateh.

Skuadra e Cikalleshit po kalon një moment të vështirë në kampionat, duke u renditur në vendin e 14-të me 4 pikë në 7 ndeshje. Vetëm 3 gola të shënuar dhe 11 të pësuar.

Kujtojmë se Cikalleshi është huazuar ëpr një sezon nga Konyaspor me të drejtë blereje, gjë që me shumë mundësi do të ndodhë.

Ishte paksa surprizë ky vendim i Cikalleshit për të lënë Europën dhe të transferohet në Arabi, vend që ka një kampionat shumë të dobët.