Conference League/ Procedurat për të hyrë tifozët në “Air Albania”

Për finalen e Ligës së Konferencës ka ardhur në Tiranë një numër i madh tifozësh të huaj dhe jo të gjithë mund ta ndjekin ndeshjen në stadium, i cili do të mund të akomodojë rreth 19.500 persona.
Kush do të hyjë brenda në “Air Albania” do t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë.
Për futjen brenda në stadium, duke nisur nga ora 18:00, tifozët do të jenë të pajisur me një biletë elektronike.
Çdo person që ka biletën, e disponon atë në telefonin e tij dhe kjo biletë është e pajisur me një “QR Code”, i cili aktivizohet në pjesën e jashtme të stadiumit dhe në pjesën e brendshme të stadiumit bëhet i vlefshëm.
Duke qenë elektronike, kjo biletë as nuk mund të kopjohet dhe as nuk mund të falsifikohet.
Tifozët nuk duhet të kenë çanta më të mëdha se formati i një letre A4 dhe për këtë qëllim do të vendosen dy vende depozitimi çantash, ku njëra do të qëndrojë tek Universiteti Politeknik dhe tjetra te hoteli “Rogner”, ku do të ketë vullnetarë që do të kujdesen për këtë pjesë dhe tifozët mund t’i rimarrin pas ndeshjes.
Gjërat e tjera që tifozët nuk duhet të kenë me vete janë fishekzjarrët, dritat laser, shishet e ujit, ose pije të tjera.
E gjithë tribuna qendrore do të jetë e menaxhuar totalisht nga UEFA, ku do të qëndrojnë personat VIP, të ftuar nga UEFA, si edhe partnerë dhe sponsorë të UEFA-s, por edhe mediat.
Sa i përket pjesës tjetër, në tribunën përballë, në pjesën qendrore, duke iu afruar ekstremeve, do të jetë sërish me partnerë të UEFA-s ose me tifozë shqiptarë dhe të dyja pjesët ekstreme të stadiumit, nga pjesa qendrore duke shkuar në ekstrem, janë të rezervuara për skuadrat.
Tifozeria e Romës do të qëndrojë në pjesën jugore të stadiumit, ndërsa tifozeria e Fejnordit në pjesën veriore të tij. Pjesa tjetër është për publikun e gjerë, ku rreth 88% e biletave që janë blerë, janë shqiptarë.
Sa u përket forcave të sigurisë, në stadium do të ketë rreth 650 të tilla dhe sa i përket pjesës tjetër, perimetri do të jetë i rrethuar edhe nga policia dhe bëhet fjalë për rreth 2000 forca policie, që janë të angazhuara vetëm me pjesën e stadiumit.







