Dështoi te Lazio, Muriqi tregon çfarë i tha Igli Tare pas asaj që i ndodhi te Club Brugge

Dy gola në dy ndeshjet e fundit në La Liga, kundër Betisit, në humbjen 1-2 dhe në fitoren 0-2 në fushën e Rayo Vallecanos. Vedat Muriqi është pikë referimi në sulmin e Mallorcas, klub që e bleu përfundimisht kartonin e tij nga Lazio këtë verë.

Në një intervistë të gjatë me “Koha Shtesë”, në SuperSport, Muriqi rrëfeu dështimin e transferimit te Club Brugge dhe arsyen e nisjes së sezonit në mënyrën më të mirë të mundshme.

Po ju shohim në formë te Mallorca, por edhe të lumtur… Faktikisht, kur në profesion ecën mirë, sigurisht që do të jesh i lumtur. Jam në Mallorca jo për qejf, por për profesionin dhe shpresoj të vazhdoj kështu. Pata probleme te Lazio, ndaj jam shumë i lumtur tani. Kur njerëzit kanë besim tek unë, ndihem mirë dhe mundohem t’ua shpërblej.

Dukesh më i ambientuar me kampionatin… Prej janarit jam përshtatur shpejt. Fatmirësisht qëndruam në La Liga dhe ishte një shpërblim për mua që Mallorca kërkoi të më blinte. Kam kontrata katër-vjeçare. Tifozët të duan nëse shënon dhe jep gjithçka për klubin. Shpresoj të vazhdoj me këtë formë, jemi vetëm në javën e tretë.

Keni shënuar dy gola tani, por keni realizuar shtatë gola në total në La liga, cili është çelësi i suksesit? Vetëbesimi dhe besimi i bashkëlojtarëve, stafit, qytetit, etj. Unë kështu jam si karakter, nëse e ndiej besimin, jap gjithçka për t’ua shpërblyer. Me tifozët dhe më shokët jam duke e kaluar shumë mirë. Kur dal në qytet, më presim mirë, megjithatë është shumë herët për të folur, janë edhe 35 javë.

Para se të transferoheshit te Mallorca, dështuat të kalonit të Brugge… Çfarë ndodhi realisht atëherë? E vërteta është se ishte lojë e klubit belg për të ulur çmimin, gjë kjo aspak profesioniste. Kam bërë disa transferime që merrnin kohë, ndërsa me Club Brugge u arrit gjithçka në 3-4 ditë dhe u habita, pasi isha edhe me pushime. Kisha një ndjenjë të keqe, pasi kur mbërrita në aeroport nuk kishte asnjë pjesëtar të klubit, por vetëm menaxherët. Po mendoja se nuk mund të ndodhte kështu, përderisa do të isha blerja rekord për klubin. Më vendosën në një vile, pasi mesa duket s’kishte asnjë hotel, por pranova. Nuk mora asnjë mirëseardhje dhe ditën e vizitave ishte vetëm doktori i klubit që do të bënte testet.

Ajo që thanë ata është një test me maskë dhe nëse nuk ke bërë stërvitje e ke të vështirë të kalosh kufirin. U thashë se jam pa stërvitje dhe nuk dua të kem të njëjtat probleme dëmtimi si te Lazio në fillim, ndaj e ndërpreva. Më pas më thanë se s’munda të kaloja testet mjekësore. Mendova mos kisha probleme me zemrën, por jo më thanë kisha te testet fizike. Pastaj kërkuan të më huazonin, pasi kështu mund të ulej çmimi i kartonit, por unë u ndjeva keq dhe fola me drejtuesit e Lazios. I jam mirënjohës Igli Tares, që më ka mbështetur që ditën e parë dhe pasi i tregova historinë, më mbështeti e më tha se do të flisnin drejtuesit e Lazios me ata të Club Brugge. Më pas u ktheva në stërvitje dhe ja ku jam sot.