Detajet e para nga takimi Kurti – Scholz/ Kancelari gjerman ka një kërkesë për kryeministrin e Kosovës

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz kërkoi sot konstruktivitet në dialog nga kryeministri Albin Kurti.

Pasi priti në takim kryeministrin Kurti në Berlin, kancelari gjerman tha se objektivi i dialogut duhet të jetë marrëveshja gjithëpërfshirëse, ku bën pjesë edhe njohja e Kosovës, pasi kjo do t’i hapte dy vendeve rrugën drejt perspektivës evropiane.

Në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, Scholz paralajmëroi vizitë në Kosovë, derisa nuk dha datë për liberalizim të vizave, megjithëse theksoi interesimin e tij që kjo të përfundojë shpejt. Ndërkohë, tha se do të rigjallërojë Procesin e Berlinit dhe e vlerësoi si pozitive pozicionin e Kosovës pas agresionit rus në Ukrainë.

“Unë jam i bindur se në kohë si këtu, në një rajon shumë pranë nesh zhvillohet një luftë brutale ka rëndësi qendrore se dy vendet të zgjidhin konfliktin hap pas hapi. Me këtë ata do të jepni një kontribut për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, por edhe gjithë Evropën. Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse e qëndrueshme mes dy vendeve që iu hap perspektivën e BE-së dhe kontribuon në stabilitetin rajonal. Unë e inkurajova Albin Kurtin për bashkëpunim konstruktiv në negociata. Në fund të fundit bëhet fjalë që nga marrëveshja të përfitojnë njerëzit në Ballkanin Perëndimor në tërësi… Progresi është i domosdoshëm dhe kjo do të funksionojë vetëm përmes marrëveshjeve konkrete që duhet të arrijnë të dy vendet dhe janë shumë detaje këtu. Por natyrisht këtu bën pjesë, ajo çka ka bërë Gjermania prej kohësh dhe ajo është njohja e Kosovës. Këto janë tema për të cilat kërkojnë strategji të shkurtër apo të gjata, por këtu duhet bërë përparime të shpejta”, tha Scholz.

Scholz tha se Gjermania është e interesuar që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndodh shpejt.

“Përparim i mëtejshëm duhet të bëhet tani në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria Federale e ka frikësuar këtë si objektiv në marrëveshjen e koalicionit, për këtë angazhohem me këmbëngulje në BE… Për sa i përket periudhës kohore ne nuk e themi dot se kjo varet nga organe të tjera, megjithatë ne jemi të interesuar që kjo të ndodh shpejtë”, tha ai.

Scholz bëri të ditur se në gjysmën e dytë të vitit 2022 do të bëjë një ftesë liderëve të Ballkanit Perëndimor për rigjallërimin e Procesit të Berlinit.

“Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Këtë dëshiroj të bëjë së bashku me partnerit të rigjallërojmë këtë proces me një ftesë në gjysmën e dytë të vitit. Projekti aktual më i rëndësishëm i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal. Këtu shpresoj të arrijmë të kapim me shpejtësi katër marrëveshjet të rëndësishme për lëvizjen e lirë të personave, njohjen e diplomave profesionale. Siç e shihni patëm shumë tema dhe gëzohem që do t’i vazhdojë ato në një vizitë në Prishtinë”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria që ai udhëheq është duke u përfshirë në dialog në mënyrë proaktive dhe konstruktive. “Pikëpamja dhe bindja jonë është që njohja reciproke të jetë në qendër, e jo në fund”, tha Kurti duke iu referuar një marrëveshjeje me Serbinë, që do të dilte si rezultat i dialogut të Brukselit.

Scholz tha se bashkëpunimi rajonal është i rëndësishëm, andaj ai tha se në gjysmën e dytë do të ketë një ftesë për takim në kuadër të Procesit të Berlinit. Ky njoftim, sipas Kurtit, është i mirëpritur për Kosovën.

Kancelari gjerman tha, po ashtu, se do ta vizitojë Kosovën në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit. Pas takimit të Scholzit me Kurtin, kancelari gjerman do të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Më pas, dy liderët pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. /Bota Sot