Do jetë kandidati i Berishës për Tiranën përballë Veliaj? Flet doktor Alimehmeti

Doktor Ilir Alimehmeti u përfol se mund të jetë kandidati i Berishës për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet lokale të 2023. Tashmë i përfshirë në politikë, Alimehmeti i ftuar në emisionin Java në Dritare nga Lorena Fjolla, tha se ai nuk është propozuar si emër. PD e Berishës, shtoi Alimehmeti, është në proces për rregullat dhë është ende herët për të folur për emra.

“Në disa media pjesëmarrja ime në protestën për Universitetet u konsiderua si një kandidaturë personale për Bashkinë e Tiranës. Patjetër unë jam i djathtë në mendim.

Njerëzit kanë opinionet e tyre. Kjo është një metodë klasike e prapambetur, unë thashë ti më the. Por unë nuk merrem me fjalë nga distanca.

Situatat nuk janë ende të maturuara. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Ne kemi me shumë debat një rregullore për primare të hapura. Jo vetëm për anëtarët por gjithashtu edhe për persona të tjerë, të shoqërisë civile, apo të kujtdo tjetër.

Nga tavolina e kafesë asgjë nuk zgjidhet. Ose duhet të jemi aktivë, ose do të presim se çfarë vendosin të tjerët për ne. Duam të shkojmë drejt një procesi të hapur dhe transparent, që secili të zgjedhë atë që mendon se mund ta përfaqësojë më mirë.

Situata nuk është maturuar akoma, sepse rregulloret janë ende në proces, ka elemente që duhet të shtohen. Ka ende bisedime mes partive opozitare për zgjedhjet. Unë nuk jam një kandidat për Tiranën”, u shpreh Alimehmeti.