“Drejtësi për Ronelën”, Eurovizion lë Shqipërinë jashtë finales.

Shumë ndjekës kanë reaguar të revoltuar në komente, pasi këngëtarja shqiptare Ronela Hajati nuk u kualifikua në finalen e Eurovision 2022.

 “Sekret”, nuk ia doli të kualifikohet për në natën e finale të Festivalit Europian të Këngës, që po mbahet në Torino edhe pse është më e pëlqyera në YouTube.

Në faqen e Eurovizion në Instagram, me mijëra komente kanë vërshuar nga ndjekësit, ku kërkohet drejtësi për vendin Shqipërinë. Jo vetëm shqiptarët, por edhe shtetas të huaj, janë të mendimit se Ronela meritonte finalen dhe se organizatorët “ia kanë futur”.

“Drejtësi për Shqipërinë”, “Ia futët Shqipërisë”, “Shqipëria meritonte finalen”, “Ku është Shqipëria”, janë disa nga komentet mbizotëruese në çdo postim dhe numërojnë me qindra pëlqime brenda pak minutash, çka nënkupton se shumë njerëz janë dakord me këtë.

Ishte pikërisht Ronela Hajati, ajo që këndoi e para në natën e parë të Eurovizion 2022 dhe mund të thuhet pa frikë që e “ka djegur” skenën, por nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme nga publiku, për të shkuar në finale.

Kujtojmë që Ronela ka bërë mjaft zhurmë në këtë edicion të Eurovizion, pasi veshja dhe perfomanca e saj është kthyer në temë diskutimi, jo vetëm në Shqipëri, por kudo.