E FUNDIT/ Ngjarje e rëndë në komisariatin nr.3, polici vret kolegun, prangoset  

Ka përfunduar në mënyrë tragjike një konflikt mes dy policëve, në Komisariatin nr.3 të policisë në kryeqytet, ku për pasojë, njëri prej tyre ka mbetur i vrarë me armë zjarri nga kolegu i tij. 

Polici me inicialet Ç.S, u dërgua në gjendje të rëndë fillimisht në spital, por ai nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra.

Autori i plagosjes, polici me inicialet  L.Z është prangosur nga ana e uniformave blu.

Policia, nëpërmjet një deklarate për shtyp, shprehet se janë ende të paqarta rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.

“Më datë 23.05.2022, rreth orës 21:20, në rrugën “Mine Peza”, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në rrethana ende të paqarta, punonjësi i Policisë, shtetasi L.Z, ka plagosur me armë zjarri shtetasin Ç.S, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Si pasojë e plagëve të marra, punonjësi i Policisë Ç.S ka ndërruar jetë në spital. Grupi hetimor nën drejtimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Autori i dyshuar është ndaluar dhe po kryhen të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Në ambientet e Komisariatit nr. 3 kanë shkuar një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, do të ketë një njoftim më të plotë për media.”, thekson Policia.