E merrnim nga Ukraina, sot ndryshoi vendimi/ Ministria Ibrahimaj: Vaji i Lulediellit nga nesër vjen nga Maqedonia e Veriut

Duke parë situatën e rëndë që ka prekur botën si pasojë e luftës në Ukrainë, sot është marrë edhe vendimi i fundit në lidhje me importin e vajit të lulediellit.
Nga nesër ky produkt do të importohet nga Maqedonia e Veriut.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj
Ministrja Delina Ibrahimaj: “Nesër Republika e Maqedonisë së Veriut, do marrë vendim të rëndësishëm që do çelë eksportet e vajit të lulediellit për Shqipërinë që ishte një produkt që siç kemi bërë të ditur është një produkt që importohej nga Ukraina dhe ka pasur mungesë në tregjet ndërkombëtare e arsyeja pse çmimet kanë qenë më të rritura.
Dua të siguroj që marrëdhënia e dy vendeve në kuadër të tregtisë do vijojë të jetë shumë e mirë e do vijojmë të lehtësojmë gjithë procedurat që kemi marrë përsipër në kuadër të Open Ballkan”.
I pranishëm në konferencë ishte edhe ministri i Ekonomisë i Maqedonisë së Veriut, Kreshnik Bekteshi.
“Më gëzon fakti që kemi rritje të bashkëpunimit tregtar. Nëse bëjmë krahasim nga shkëmbimi tregtar i para kohës së tregtisë jemi më mirë në tremujorin e këtij viti, ku kemi tejkaluar shumën e 200 milionë eurove të shkëmbimit tregtar i cili nuk ka qenë më shumë se 140 milionë euro, sipas të dhënave të Entit Statistikor“, theksoi Bekteshi.





