E trishtë: Gjendet i vdekur në një dhomë hoteli aktori i njohur që ka luajtur në mbi 220 filma

Kenneth Tsang, aktori që është shfaqur në më shumë se 220 filma dhe ka luajtur në një prej filmave për James Bondin, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare.

Ylli nga Hong Kongu ka luajtur në filma të shumtë duke përfshirë “Rush Hour 2” dhe “Die Another Day” për agjentin 007.

Tsang është gjetur i vdekur të mërkurën në një dhomë të hotelit Kowloon të Hong Kongut, ku ishte në karantinë. Pasi askush nga dhoma e tij nuk u përgjigj, stafi i hotelit e ka hapur derën për ta gjetur aktorin të palëvizshëm të shtrirë në dysheme pranë shtratit.

Ai u konstatua i vdekur në vend, ndërsa pritet autopsia për të përcaktuar shkakun e vdekjes së tij. Tsang kishte marrë tri doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe nuk vuante nga ndonjë sëmundje serioze, kanë thënë burimet.

Aktori u vendos në karantinë hoteli si pasagjer, pasi kishte shkuar jashtë vendit, megjithëse kishte rezultuar negativ në testimin për coronavirus.

Gjatë karrierës 65-vjeçare, Tsang është shfaqur në më shumë se 220 filma, shumë shfaqje televizive dhe shpesh është paraqitur në reklama të ndryshme.