Ekipi i Kategorisë së Dytë rikthehet të luajë në shtëpi pas 800 ditësh dhe mbush stadiumin më shumë se ekipet e Superiores

E diela ishte programuar ditë feste në Elbasan dhe ashtu ndodhi, teksa rikthimi pas 800 ditësh i një ekipi të qytetit në stadiumin “Elbasan Arena” u shpërblye me një fitore 2-0 ndaj AF Luftëtarit. Rreth tre mijë tifozë kishin mbushur shkallët e stadiumit, teksa verdheblutë e drejtuar nga Gentian Stojku gjetën golat vetëm në pjesën e dytë.

Ndeshja u dominua tërësisht nga nga AF Elbasani dhe protagonistë u bënë Sejdini dhe Lleshi, duke i dhënë tri pikë të rëndësishme ekipit me golat e tyre. Në tribunë nuk mungoi mbështetja e kryebashkiakut Gledian Llatja, ministres Evis Kushi dhe shumë figurave të sportit.

Pjesa e parë mbyllet pa gola.Në të dytën, Elbasani e rrit presionin dhe rrezikon vazhdimisht nga harkimet e Mones nga e majta. Mirëpo, mungon goditja finale nga ana e sulmuesve.

Gjithsesi, ndeshja do të zhbllokohet në minutën e 65-të me anë të sulmuesit Artur Sejdini. Mone harkon nga këndi, godet Peqini me kokë dhe sfera shkon te Sejdini, i cili po me kokë e dërgon në rrjetë.

Nis festa në stadium, ndërsa miqtë e kanë të pamundur të shkojnë në zonën kundërshtare, pavarësisht se tentojnë të shtyjnë. Elbasani, me komoditetin e një goli, mundohet të qetësojë lojën. Për të mbyllur gjithçka mendon Arsen Lleshi në fund.

Hyshmeri lëviz bukur nga e majta dhe jep një top për Gavën, që godet nga jashtë zone, por portieri nuk devijon si duhet dhe aty Lleshi nuk e ka të vështirë të realizojë. Mbyllet gjithçka 2-0, me Elbasanin që merr tri pikët e para.