Epokë e re te Bayern Munchen. Katër emra për merkaton e verës

Duket se sezoni i ardhshëm do ta gjejë Bayern Munchen me shumë imazhe të reja në skuadër, teksa në merkaton e verës, bavarezët do të jenë të detyruar për të zbatuar një mini-revolucion.
Por, për të zëvendësuar dy yje, drejtuesit e klubit janë “hedhur” në sulm për të siguruar firmën me katër lojtarë të tjerë, ku sigurisht objektivi më i spikatur është Sadio Mane.
Së fundmi, ka pasur zëra se agjenti i lojtarit të Liverpool është takuar me përfaqësuesit e Bayern Munchen, teksa senegalezi është futur në vitin e fundit të kontratës me Liverpool.
Nga ana tjetër, një objektiv që mund të zëvendësonte Lewandowskin është Sebastian Haller i Ajax. Sulmuesi shtatlartë, ka statistika shumë të mira në sezonin e fundit, por këtu Bayern mund të hasë në konkurrencën e Dortmund, që gjithashtu po kërkon zëvendësues për Haaland.
Një tjetër preferencë e Bayern Munchen, është lojtari i Barcelonës, Ousmane Dembele. Francezi dukej me “një këmbë” jashtë Camp Nou-t, megjithatë, tashmë situata ka ndryshuar dhe sulmuesi duket i lumtur në Spanjë.
Gjithsesi, Bayern Munchen do të tentojë të firmosë me anësorin, për sa kohë nuk ka rinovim të kontratës me Barcelonën. Në fund, një tjetër synim është lojtari i Stuttgart, Sasa Kalajdzic.





