Eurovizion 2022/ Ronela Hajati: E meritonim finalen, ende ndjej dhimbje

Përfaqësimi dinjitoz i Ronela Hajati në gjysmëfinalen e parë të Eurovizion, nuk mundi ta çonte Shqipërinë në finale. Vetë këngëtarja është shprehur e zhgënjyer, teksa shkruan në Instagram se performanca e “Sekret” ishte mjaft e arrirë dhe se e meritonte finalen.
“Ende nuk e kam parë, sepse nuk mundem. Dje dola për të pirë, për të harruar që kjo ndodhi! Plus performanca e “Sekret” është 1 milion klikime neë Youtube! Ende ndjej dhimbje të madhe në gjoks, sepse e merituam këtë finale, por Zoti i di gjërat më mirë! Ju dua” – shkruan këngëtarja.
Gjysmëfinalja e parë e Eurovizion u zhvillua mbrëmjen e djeshme, ku Ronela Hajati, me këngën “Sekret”, pati një performancë elektrizuese, duke dhuruar shumë emocione, ndonëse nuk u kualifikua për në finale. Nga 17 këngë konkurruese, vendin në finalen e së shtunës e fituan vetëm 10 prej tyre, konkretisht: Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda.
Finalja e madhe do të mbahet më 14 maj, në stadiumin “Pala Olimpico” të Torinos, në Itali, ndërsa më 12 maj do të mbahet nata e dytë gjysmëfinale, ku do të zbulohen dhe finalistët e tjerë.







