Gjici nuk e pret mirë humbjen me Kastriotin, pezullon të “parin”: Nuk e ka bërë mirë detyrën

Safet Gjici ishte i ftuar në emisionin “Fair Play” që drejtohet nga Enkeleida Zeko. Presidenti i nderit të Kukësit është shfaqur shumë i irrituar me trajnerin, stafin teknik dhe lojtarët për rezultatet e arritura në këto tre javë të para.

Madje është marrë masë edhe për Pero Pejic, që në rolin e zëvendës trajnerit, është pezulluar nga detyra. “A është pezulluar Pejic nga detyra?

Këto janë pyetje qesharake, pse bëhet si pyetje? Keni ndonjë pyetje tjetër në lidhje me sportin? Do pezullohet ndonjë ditë edhe punëtori i fushës, ju do të pyesni prapë. Pejic u pezullua se nuk bëri mirë detyrën e tij dhe prandaj, duhet të reflektojë tani”, tha Gjici.

“Klubi i ka realizuar të gjitha dëshirat e stafit teknik. Janë krijuar dy ekipe aty, pastaj se çfarë ndodh duhet të pyesni trajnerin dhe pjesën e stafit. Kaq shumë lojtarë cilësor sa ka Kukësi, t’i mbledhësh të gjithë ekipet bashkë nuk janë. Përgjegjësia fillon nga trajneri, stafi, por edhe lojtarët për rezultatet e dobëta.

Klubi i ka plotësuar të gjitha kushtet, fazën përgatitore e bën jashtë vendit. Kemi investim të fuqishëm dhe e çuditshme që kemi këto rezultate të dobëta.

Tani ka dy muaj që lojtarët janë bashkë me njëri-tjetrin. Nëse nuk janë lidh, nuk është faji im. Është faji i stafit që nuk janë lidhur me njëri-tjetrin. Justifikmet pastaj janë nga më të ndryshmet”, shtoi Gjici.