Kapet me 42 kg “miell” të pastër. Shqiptari, biznesmen makinash, është vetëm maja e ajsbergut

Një 33-vjeçar shqiptar u kap nga policia italiane më 3 shtator, pasi iu gjet dhe sekuestrua mbi 40 kilogram “miell” i pastër. Gjyqtarja hetuese e Gjykatës së Ankonës Sonia Piermartini vërtetoi sot ndalimin e tij, shkruajnë mediat italiane.

33-vjeçari shqiptar është pa precedentë të mëparshëm, por pas tij dyshohet se mund të ketë një organizatë shumë më të madhe dhe më të rrënjosur në Marche.

I ndaluari, i mbrojtur nga një avokat i barit në Rimini, Massimiliano Orrù, ndodhet mbrapa hekurave në Montacuto që nga e premtja. Policia e ndaloi atë teksa ngiste një Golf Volkswagen, në via Albertini, në zonën Baraccola të Ankonës, ku gjatë kontrollit të makinës gjeti 1 kilogram “miell”.

Në një apartament që 33-vjeçari kishte marrë me qira për tre muaj, po në Baraccola, karabinierët gjetën 41 kilogramë të tjera.

“Mielli” ka një vlerë mbi 10 mln euro. Në shtëpi kishte edhe një p!st0letë të mbushur dhe disa qindra euro cash. Përballë gjyqtarit hetues shqiptari ka zgjedhur të heshtë. I dyshuari vinte herë pas here në Itali, nga Shqipëria, me një vizë turistike tre mujore.

Me profesion tregtar makinash, ai kishte një banesë edhe në Civitanova Marche, ku kishte vendbanimin, por apartamentin e kishte “të pastër”.

Shtëpia e Baraccola-s, nga ana tjetër, ishte një lloj magazine ku mbahej “mielli”, një pikë mbështetjeje përpara se të merrte drejtime të tjera, shkruan abcnews.al.

Shqiptari kërkohej nga Guardia di Finanza e Breshias. Dyshimi është se 42 kilogramët e gjetur në Ankona janë vetëm një pjesë e vogël e një raundi të madh pluhuri të bardhë mes Italisë dhe Shqipërisë.