Kastrioti kockë e fortë për Tiranën, Egnatia i bën spektakël Vllaznisë

Dy ndeshjet e radhës janë luajtur në javën e katërt të Superiores. Egnatia ka marrë një fitore të madhe ndaj Vllaznisë me shifrat 3-0.
Shkodranët kanë pasur fatin me vete në takimet e fundit duke mundur rivalë si Kukësi dhe Tirana, por këtë herë i kanë dalë në pah problemet. Dy gola për dy minuta arritën të realizonin vendasit që me De Large dhe Mustën do të trondisnin shkodranët.
Egnatia ishte gjithmonë më e rrezikshme në portën kundërshtare, ndërsa kontrolli i topit të Vllaznisë mbetej jo efektiv. Pjesa e dytë nisi me ndërrime dhe shkodranët dukeshin më të rrezikshëm, por Egnatia shënoi sërish. Këtë herë me Camaj që pasi mori vendin e Bambam do të shënonte me kokë pas krosimit të bukur nga krahu i djathtë.
Nga ana tjetër, Kastrioti është kthyer në një “mace të zezë” për Tiranën duke barazuar 0-0. Bardheblutë nuk po arrijnë dot që të mposhtin ekipin e drejtuar nga Cela.
Sërish ishte e njëjta panoramë e ofruar nga ky takim. Tirana arrin të kontrollojë ndeshjen dhe të mundohet të rrezikojë portën kundërshtare, pa arritur dot që të shënojë.
Në minutat e fundit Kastrioti hidhet në aventurë për të fituar takimin dhe për pak ia doli, pasi në të 85 Prenkocevic i shkoi fare pranë avantazhit, duke u ndalur në traversë.





