Konjufca e familjaret e të zhdukurve bëjnë homazhe te përmendorja e personave të zhdukur

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe organizata të tjera, me rastin e 27 Prillit – Ditës së të Zhdukurve të Kosovës, kanë vendosur kurora me lule para përmendores së personave të zhdukur, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe disa ministra të kabinetit qeveritar.
Bajram Çerkini, nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, u ka bërë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të jenë më aktivë për fatin e mbi 1600 të pagjeturve.
Ai ka kërkuar që të solidarizohen me familjarët
e të pagjeturve duke e ndalë një dritë tre minuta.
“Është mirë që pas 23 viteve nuk po harrohen edhe 1612 vetë të cilët i kemi ende pa gjet. Nuk po harrohen edhe familjet të cilat janë gjithmonë duke qarë dhe duke i kërkuar më të dashurit e tyre, nuk po harrohen edhe ata që nuk po na thërrasin o hajde merrna e ne jemi ata që nuk po dimë ku janë. Një apel një kërkesë që e kemi pas tash një vit të ndalin një dritë tre minuta sot po e them ju kisha lut të gjithë ata që po na dëgjojnë e s’po na dëgjojnë le të mendojnë një sekondë për familjarët të cilët i kanë zemrën pa shëruar, shpirtin duke qarë shpesh herë edhe me lot e me gjak. I kisha lut të thonë o zot ndihmoju këtyre njerëzve dhe bëni më të vetëdijshëm vendorët e ndërkombëtarët për zbardhjen e fatit të pagjeturve”, tha Qerkini.
Ai pati kritika edhe ndaj ndërkombëtareve, për
të cilën tha se për 20 vite nuk e kanë zgjidhur problemin e të pagjeturve.
“E vetmja shans na ka mbet se mediat mund të
na ndihmojnë. Unë jam duke fol edhe më ndërkombëtar edhe me vendor, Brukseli
nuk po do të na zgjidh problemin e janë duke e zvarrit problemin me Serbinë, për
shkak se nuk ka shanse me këtë taktik qe 20 vjet Brukseli duke thënë merre me
men do letra ngjitëse nuk po munden me i marr një vendim kështu duhet me hy veturat”,
tha ai.





