Konkurrimi për licencën, 1054 mësuesit e rinj që kalojnë në testim

Konkurrimi për licencimin e arsimtarëve të rinj, do të vijojë përgjatë ditës së nesërme. Në kalendarin e testimeve të konfirmuar nga Qendra e Shërbimeve të Arsimit për provimet e shtetit të këtij sezoni, garën për lejet e reja të ushtrimit të profesionit do ta vijojnë mësuesit e arsimit fillor, të historisë, si dhe ata të profilit histori-gjeografi. Për shkak të numrit të madh të kandidatëve, provimet e shtetit për mësuesit e arsimit fillor do të vijojnë për katër ditë me radhë në datat 4 deri në 7 maj, për të vijuar të hënën e datës 9 maj me mësuesit historisë, si dhe për të përfunduar në datat 10-11 maj, me mësuesit e rinj të profilit të histori-gjeografisë, të cilët do të përmbyllin edhe ciklin e testimeve për këtë sezon.
Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka shpallur tashmë listën zyrtare të 1054 kandidatëve që do të garojnë në këto profile, të cilën e gjeni të detajuar në vijim të shkrimit. Sikundër ka ndodhur në profilet e tjera të mësuesisë, testimet në secilën ditë do të zhvillohen me tre turne, çka do të thotë se çdo mësues duhet të jetë i kujdesshëm dhe të paraqitet për të zhvilluar provimin, vetëm në datën dhe orarin e përcaktuar specifikisht për të. Në të kundërt nuk do të lejohen që të konkurrojnë në këtë sezon për licencën.
Në vijim të masave parandaluese të përhapjes së koronavirusit, gjatë paraqitjes për pjesëmarrje në provim, kandidati duhet të ketë detyrimisht parasysh dhe të zbatojë rregullat e përcaktuara, ku: duhet të paraqitet pranë QSHA-së i pajisur me mjetet mbrojtëse, maskë dhe doreza plastike, të ketë me vete vetëm dokumentet e kërkuara dhe mjetin e identifikimit, të ketë me vete stilolaps për nënshkrimin e deklaratës dhe rezultatit të testimit, si dhe të mos ketë me vete celularë, çanta dhe sende të tjera personale, të panevojshme në zhvillimin e testimit.
Me vete duhet të mbani edhe faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë, ku të jetë e specifikuar hera pjesëmarrjes. Autoritetet e Qendrës së Shërbimeve të Arsimit sjellin në vëmendje se fatura duhet të ketë vulën e bankës përkatëse. Po ashtu, në ditën e provimit duhet të keni me vete edhe kopjet e diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MAS, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit. Në mungesë të pajisjes me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, kandidati duhet të pajiset nga universiteti përkatës me një vërtetim ku të specifikohet se: ka shlyer të gjitha detyrimet për përfundimin e ciklit të dytë të studimeve në edukim, (si dhe njohjen e gjuhës së huaj, në bazë të testimeve të njohura ndërkombëtare dhe në nivelin e specifikuar në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi). Ky vërtetim duhet të përmbajë edhe emërtesën e plotë dhe llojin e programit të ciklit të dytë të përfunduar, vitin e përfundimit, numrin e matrikullimit, si dhe datën e diplomimit. Mungesa e ndonjërit prej këtyre dokumenteve penalizon kandidatët me përjashtim nga provimi e shtetit për profesionin e rregulluar të mësuesit.
Personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për t’u ardhur në ndihmë kandidatëve, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka detajuar edhe fondin e mijëra pyetjeve nga të cilat do të përzgjidhen edhe pyetjet që do të jenë pjesë e tezës së provimit të licencës. Në këto kushte, çdo kandidat mund të orientohet rreth përmbajtjes që do të ketë testi i licencës, duke u njohur me fondin e detajuar të pyetjeve që gjendet në faqen online të kësaj qendre.
Edhe për këto profile, provimi do të jetë i strukturuar në tre pjesë, të cilat përfshijnë pyetjet rreth njohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pyetjet rreth pedagogjisë, metodave të mësimdhënies dhe menaxhimit të klasës, si dhe pyetjet specifike për profilin lëndor në të cilin mësuesi kërkon të fitojë licencën profesionale.
Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profilit në të cilën aplikojnë, pasi rezultojnë mbetës. Pajisja më lejen e ushtrimit të profesionit, e lejon çdo mësues të ri që të nisë procedurat e mëtejshme të konkurrimit për vendet e lira të punës në shkollat e arsimit parauniversitar, si dhe gjimnazeve publike dhe private të vendit.
Listat:
1. Arsimi Fillor
2. Histori
3. Histori-edukate
4. Histori Gjeografi





