Kriza energjetike/ Gjermania nis kufizimet e ndriçimit publik

Duke dashur të reduktojnë koston gjithnjë në rritje të energjisë, disa bashki dhe komunitete në Gjermani, kanë filluar të zbatojnë kufizime në ndriçimin publik. Dritat ndizen pak më vonë gjatë natës, ose fiken pak më herët në mëngjes. Në raste të tjera, intensiteti i dritës zvogëlohet.

Qyteti i Weimarit ka vendosur të ndërmarrë veprime, duke filluar nga 1 qershori, ku gjatë verës ndriçimi publik do të ndizet tridhjetë minuta më vonë dhe do të fiket tridhjetë minuta më herët.

Për muajt e dimrit, autoriteti komunal dëshiron të reduktojë kohën totale të ndriçimit me dhjetë minuta në ditë. Sipas tyre, në këtë mënyrë mund të kursehen 70.000 deri në 100.000 kilovat/orë në baza vjetore, që barazohet me një përfitim ekonomik nga 30.000 deri në 40.000 euro.

Një përgatitje e ngjashme është bërë në qytetin e Mainz, ku tashmë është vendosur që të ulet intensiteti i ndriçimit nga ora 1 deri në pesë të mëngjesit, në trotuaret dhe rrugët e biçikletave që nuk tregojnë shumë trafik.

Qyteti i Darmstadt gjithashtu, përpiqet të ulë koston e ndriçimit me teknologji moderne. Tashmë, janë instaluar sensorë të posaçëm për të ndezur ndriçimin në korsitë e biçikletave të qytetit, si dhe në një autostradë që lidh Darmstadt me Frankfurt. Sensorët reagojnë ndaj lëvizjes dhe rrisin intensitetin e dritës sapo shfaqet një këmbësor ose çiklist, ndërsa me të njëjtin automatizim intensiteti ulet kur rruga mbetet bosh.

Në qytetet e mëdha si Hanoveri, Bremeni dhe Oldenburgu, tashmë janë instaluar sensorë për funksionimin automatik të ndriçimit publik.