Kurti pas takimit me kancelarin gjerman: Kosova proaktive dhe konstruktive në dialog, marrëveshja përfundimtare me njohjen në qendër

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me homologun gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se Kosova është proaktive në procesin e dialogut me Serbinë.

“E njoftova kancelarin Scholz për qëndrimin e Kosovës në dialog, Kosova është proaktive dhe konstruktive, jep propozime në linjë me vlerat e përbashkëta me Bashkimin Evropian. Dëshirojmë një marrëveshje përfundimtare, që e ka njohjen reciproke jo në fund, por në qendër. Jemi të përkushtuar të ecim shpejt dhe të kemi rezultate konkrete dhe të bashkëpunojmë më shumë”, tha Kurti.

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosova është duke qëndruar përkrah vendeve mike duke e mbështetur Ukrainën.

Ai, në një konferencë për media pas takimit që pati me kancelarin e Gjermanisë, Olas Scholz, ka theksuar se këto sot çfarë janë duke ndodhur sot në Ukrainë, Kosova i ka përjetuar 23 vjet më parë.

“Maskrat, bombardimet dhe përdhunimet që sot po i përjeton Ukraina nga forcat ruse, Kosova i përjeton rëndë sepse i ka jetuar nën lëkurë para 23 vjetëve nga regjimi gjenocidal i Sllobodan Millosheviqt, që u ndal nga ndërhyrja e NATO-s”, ka thënë Kurti.

Ai tha se ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. “Kërkova që Gjermania ta shtyjë para liberalizimin e vizave, në korrik edhe dy muaj, bëhen katër vjet prej se Komisioni Evropian e ka rekomanduar për herë të dytë dhe e ka konstatuar që Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim”.

“Mendoj se është koha të thuhet mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë është radha që Bashkimi Evropian të bëjë të njëjtën gjë”,ka thënë Kurti.