Kush është talenti në katërkëndësh i Panathinaikos që Bushi e ka grumbulluar këtë herë?

Kombëtarja U-20 e Shqipërisë do zhvillojë dy teste miqësore me Kroacinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pjesë e listës së Alban Bushit është edhe Klidman Lilo.

19 vjeçari i lindur në Athinë mbron portën e Panathinaikos U-19 dhe shihet si një talent në katërkëndësh.Me origjinë nga Erseka, djaloshi nuk i ka thënë “jo” kuqezinjve, duke konfirmuar prezencën e tij sa herë që Shqipëria e ka në listë.

I dalë nga moshat e klubit grek, Lilo ende nuk ka debutuar me kuqezinjtë. Pritet që miqësoret e radhës trajneri Bushi t’i japë mundësi të riut për të treguar aftësitë në katërkëndësh.

Por Lilo nuk do jetë lojtari i vetëm i Panathinaikos i grumbulluar nga Bushi, po ashtu pjesë e listës është edhe mesfushori i talentuar Leandro Frroku.

Ndërkohë nga rivalët e Panathinaikos, pra Olympiakos, është thirrur për herë të parë mbrojtësi Andreas Ndoj, shumë i talentuar.

Ekipi kuqezi do të grumbullohet në Durrës dhe më pas më 21 shtator do të udhëtojë drejt Kroacisë, ku do të luajë dy testet miqësore.