La Gazzetta e hap me Giroud: “Çdo gol kushton vetëm 70 mijë euro. Milan, çfarë marrëveshje”

Olivier Giroud është protagonisti i faqeve sportive kushtuar Milanit. Sulmuesi francez po tërheq vërtet peshën në këtë pjesë të parë të sezonit. Stefano Pioli, në fakt, asnjëherë nuk ka mundur të përfitojë nga sulmuesit e tij. Zlatan Ibrahimovic po përballet me rikuperimin nga lëndimi i rëndë, i cili do ta rikthejë në fushë vetëm në vitin e ri.

Ante Rebic, titullari i javes së parë të kampionatit, duhet të përballet me një problem të bezdisshëm me shpinën që në prag të ndeshjes kundër Sassuolos. Rreziku që do të shihet sërish vetëm pas pushimit është vërtet real.

Më pas është Divock Origi, i cili duhet të alternohej me Giroud-in, por deri tani nuk ka ndodhur kështu. Ish-lojtari i Liverpool luajti vetëm disa pjesë të ndeshjeve. Në këtë fillim sezoni, probleme të ndryshme fizike e kanë bllokuar sistematikisht. Vera u kalua larg grupit për të zgjidhur një dëmtim që e kishte bërë atë të humbiste finalen e Ligës së Kampionëve.

Origi më pas u ndal në prag të ndeshjes kundër Sassuolos për një inflamacion dhe më pas para ndeshjes në Genoa, kundër Sampdorias, për shkak të një ngurtësimi muskulor. Asgjë serioze, por në të dyja rastet ai duhet të kishte luajtur nga minuta e parë. Ai ka të ngjarë të kthehet para Napolit, por ndërkohë Olivier Giroud do të jetë ende në fushë.

Francezi, i cili do të mbushë 36 vjeç më 30 shtator, ka luajtur pesë ndeshjet e fundit, katër në ligë dhe një në Champions League. Siç i ka ndodhur shpesh në karrierën e tij, ish-lojtari i Chelsea shënoi vetëm gola vendimtarë dhe të rëndësishëm, siç ishte ai i së shtunës te Marassi. Penalltia, me skuadrën në dhjetë ishte vërtet e rëndë, ashtu si goli në derbi. Goli tjetër mbërriti kundër Bolonjës.

Të mërkurën do të jetë sërish radha e tij ndaj Dinamo Zagrebit dhe ndoshta edhe ndaj Napolit, përpara një pushimi të merituar. Përveç nëse Deschamps vendos ta thërrasë atë. Ndërkohë në Itali, Giroud vlerësohet nga gazetat, me Milan-in që gëzohet për një investim të kritikuar në të kaluarën.

La Gazzetta dello Sport tregon se çdo gol i francezit, i paguar vetëm 1 milion euro për ta rrëmbyer nga Chelsea, kushton 71,400 euro. Krahasuar me sulmuesit e tjerë, shohim se Arnautovic kushton 150 mijë euro për gol, Beto 625 mijë euro dhe Vlahovic 6,3 milionë euro!