Laçi merr lajmin fantastik, fiton mijëra euro nga turqit në KAS për portierin e Shqipërisë

Më në fund një lajm i mirë për Laçin, që është zhytur në fundin e tabelës së Superiores. Bëhet fjalë për gjyqin me klubin turk të Menemesporit për çështjen e portierit të Kombëtares, Gentian Selmani.
Kurbinasit patën fituar në shkurt në FIFA shumën prej 120 mijë eurosh për shkak se turqit nuk kishin paguar të drejtën e formimit të lojtarit.
Kur dukej se gjithçka kishte përfunduar, klubi i Menemesporit kishte kaluar në kundërsulm, duke bërë ankimim në KAS-in e Lozanës.
LETRA E LASKËS Klubi turk ka qenë i bindur se do të përmbysë vendimin e FIFA-s në KAS sepse dispononte një letër të presidentit të Laçit, Pashk Laska, ku thuhej se ai hiqte dorë nga çdo dëmshpërblim për futbollistin Gentian Selmani pas transferimit të lojtarit në vitin 2019 në Turqi. Kështu thuhet të paktën në raportin e argumentuar që ka publikuar KAS-i në faqen e tij zyrtare.
FITORE NË SHTESË… “Panorama Sport” zbulon se prova që kanë pasur në dorë zyrtarët e Menemesporit nuk ka qenë aspak për t’u nënvlerësuar, por Laçi ka fituar në… “shtesë”.
Po, sepse Menemespori e ka humbur sërish gjyqin pasi e ka bërë ankimimin jashtë afateve të përcaktuara në rregulloret e KAS-it.
Rrjedhimisht, nuk është marrë parasysh fare nëse letra ka qenë e vërtetë apo jo, por është vlerësuar primare zbatimi i afateve dhe për pasojë KAS-i ka rrëzuar pretendimet e Menemesporit, duke lënë në fuqi dëmshpërblimin prej 120 mijë eurosh kundrejt Laçit, plus edhe 3 mijë franga të tjera për turqit, pasi duhet të paguajnë edhe shpenzimet e procesit gjyqësor.Kujtojmë që Laçi fitoi gjyqin në FIFA me këtë klub edhe për mbrojtësin David Domgjoni për shumën e 30 mijë eurove.





