Lija e majmunit/ OBSH: Përhapja mund të jetë “maja e ajsbergut”

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se rreth 200 raste të lisë së majmunëve të zbuluar kohët e fundit në vendet jashtë atyre ku virusi zakonisht qarkullon, mund të jetë vetëm fillimi.

Në një konferencë për përhapjen “e pazakontë” të virusit të lisë së majmunëve, shefja e parandalimit të epidemisë dhe pandemisë së OBSH-së, Sylvie Briand, tha se nuk e dihet nëse po shohim vetëm majën e ajsbergut.

Që kur Mbretëria e Bashkuar njoftoi për herë të parë agjencinë shëndetësore të Kombeve të Bashkuara, për rastin e saj të parë të konfirmuar më 7 maj, pothuajse 200 raste janë raportuar në OBSH në vende larg nga shtetet ku virusi është normalisht endemik.

Për më tepër, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve e ka çuar numrin e rasteve në 219.

Lija e majmunit është endemike në Afrikën perëndimore dhe qendrore, por papritmas virusi është shfaqur në mbi 20 vende të tjera, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Australinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gati një duzinë vendesh të Bashkimit Evropian.

Ministria spanjolle e shëndetësisë është shprehur se rreth 98 raste të lisë së majmunit ishin konfirmuar në Spanjë.

Mbretëria e Bashkuar ka pretenduar se ka 90 infeksione të verifikuara të virusit.

Portugalia ka regjistruar gjithashtu, të paktën 74 raste të konfirmuara të lisë së majmunit në mesin e meshkujve të moshës nën 40 vjeç.