Memelli “kopjon” Rejën, bën ndryshimin e papritur te Skënderbeu

Skënderbeu do të përballet me Burrelin ditën e shtunë në orën 17:00. Takimi pritet të jetë një provë më vete për korçarët të cilët kërkojnë të bëjnë ndryshime në skemë.

Migen Memelli mund të ndryshojë reshtimin e ekipit nga 4-3-3 në atë ofensiv 3-5-2. Kreu i pankinës së Skënderberu pas 4 javësh grumbullon 5 pikë duke u pozicionuar në vendin e 7 renditjes.

Te Skënderbeu po shohin dritë. Pasi siguruan të parën fitore në kampionat, tashmë kanë vetëm një mision: të mos ndalen. Këtë e thotë edhe Belajdi Pusi, autori i një prej golave kundër Luzit 2008. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai evidenton se tashmë janë më të qetë në aspektin psikologjik.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e nisëm mirë dhe në pjesën e parë kemi krijuar shumë raste për shënim, por nuk kemi arritur dot të finalizojmë. Luzi ishte një ekip i mirëvendosur në fushë dhe me daljen e parë të rrezikshme na ka shënuar duke kaluar në avantazh.

Në pushimin e pjesës së parë, trajneri na foli duke na kërkuar të bënim shumë më shumë dhe në pjesën e dytë ka qenë një ekip me një tjetër fytyrë në fushë.

Bëmë një gol të shpejtë dhe kjo na dha krah. Mendoj se ky trepikësh do të na vlejë shumë edhe në anën psikologjike. Kishim një ngërç dhe kjo fitore ishte më shumë për moralin. Besoj që gjërat do të ecin drejt”, theksoi Pusi.