“Ne kemi Granit Xhakën”, si i rregulloi marrëdhëniet shqiptari me tifozët e Arsenalit

Nëse ka pasur ndonjëherë një tregues se sa mirë po shkojnë gjërat me Arsenalin në krye të tabelës, kjo erdhi në fund të fitores 3-0 të muajit të kaluar në Brentford. Loja sapo kishte përfunduar dhe të gjithë lojtarët po shkonin drejt tifozëve që udhëtuan në stadiumin e komunitetit Gtech për të festuar fitoren e gjashtë në shtatë ndeshjet e Premier Leagues.

Dhe pikërisht atëherë ndodhi. “Ne kemi Granit Xhakën, kemi Granit Xhakën. Ne kemi Granit Xhakën, kemi Granit Xhakën…”

Kjo ishte kënga që po tingëllonte nga tribunat, teksa skuadra e Mikel Artetës qëndronte përballë tifozëve të Arsenalit, duke duartrokitur dhe duke shprehur mirënjohjen e tyre për të gjithë mbështetjen.

Për Xhakën, ky ishte një moment i madh. “Është një ditë shumë, shumë e veçantë për mua”, tha Xhaka në një mesazh emocionues të cilin e dërgoi përmes llogarisë së Arsenalit në Twitter. “Të dëgjoja atë përkrahje, që ju ta këndoni këngë për mua. Faleminderit”.

Për shumicën e lojtarëve, marrja e lëvdatave nga fansat nuk do të ishte asgjë e re. Por, sa i përket marrëdhënies së tij me tifozët e Arsenalit, Xhaka nuk është një lojtar i zakonshëm. Në të vërtetë, fakti që ai tani po merr vlerësimin e tyre flet shumë për cilësinë e performancave që ka bërë këtë sezon.

Pas gjashtë vitesh me ngjarje në Arsenal, ky ishte sezoni që shumë menduan se Xhaka më në fund do të largohej nga formacioni startues, veçanërisht me ndryshimin e sistemit të prezantuar nga Mikel Arteta, i cili parashihte që Xhaka të luante në një rol shumë më të avancuar në mesfushë sesa zakonisht.

Në vend të kësaj, ai ka çimentuar vendin e tij në ekip me një seri paraqitjesh të shkëlqyera. Një lojtar që më parë shihej si lojtar në largim, tani është i pazëvendësueshëm. Po të mos ishte Arteta, Xhaka do të ishte larguar prej kohësh nga Arsenali, shkruan Goal.

Mesfushori e ka pranuar hapur se i kishte “çantat e mbushura” dhe ishte gati të kthehej në Gjermani pas grindjes që pati me tifozët e Arsenalit gjatë një ndeshjeje me Crystal Palace në tetor të vitit 2019.

Xhakës në atë kohë iu hoq shiriti i kapitenit nga ish-trajneri Unai Emery pas incidentit, çka e dytyroi Xhakën që me zemërim t’u thoshte mbështetësve të Arsenalit të pir**en, teksa ata e përqeshnin nga tribunat kur ai po zëvendësohej.

Dukej se nuk kishte rrugë kthimi dhe nuk do të kishte pasur nëse Emery do të kishte mbetur në klub. Por Arteta mbërriti menjëherë pas dhe e bindi Xhakën të qëndronte.

Kjo ishte gati tre vjet më parë dhe rruga drejt përafrimit me bazën e fansave nuk ka qenë e lehtë. Por Xhaka nuk është një lojtar që do t’i shmanget ndonjëherë një sfide.

Ka pasur përplasje përgjatë rrugës, duke përfshirë dy kartonë të kuq sezonin e kaluar, por mesfushori është po aq i respektuar tani sesa ka qenë ndonjëherë më parë në Londrën Veriore, përpara derbit të së shtunës kundër Tottenhamit.

Në të vërtetë, tifozët e Arsenalit do të këndojnë përsëri emrin e Xhakës në Emirates – diçka që do të ishte e pamundur të imagjinohej pak kohë më parë. Por nëse koha e mesfushorit në Angli na ka mësuar diçka, është se nuk mund ta harroni kurrë. /