“Në Shqipëri burrat paguhen më shumë, kurse gratë i lënë të gatuajnë”

Ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli, ka një shqetësim mjaft interesant dhe të rëndësishëm për aktualitetin në Shqipëri. Ajo thotë se, të paktën në vija të përgjithshme, burrat paguhen më shumë se gratë.
Sipas saj, kjo është mjaft e dukshme në vendin tonë, më shumë se në vendet e tjera. Në një intervistë për emisionin “Good Morning Albanians” në “Euronews Albania”, Guxholli u shpreh se gratë i dinë më mirë nevojat e shtëpisë dhe kanë marrë përgjegjësi, që sipas saj, duan burime financiare.
“Duket sikur i mbajnë gratë, por financat e mëdha i mbajnë burrat. Burrat tentojnë të ruajnë para për raste të veçanta. Kur është puna për investime, përsëri vendimin e marrin burrat, rrallë e marrin gratë”, u shpreh ekspertja.
“Në përgjithësi, burrat paguhen më shumë se gratë, sidomos në Shqipëri, shumë e dukshme kjo diferenca në të ardhura dhe punësimi gjithashtu. Ka edhe përjashtime, patjetër”, vijoi ajo.
“Nevojat e shtëpisë i di gruaja, gatuan, merret me fëmijët. Ajo ka marrë përgjegjësi më tepër dhe ato përgjegjësi duan burime financiare”, theksoi Guxholli.
A mendoni se në Shqipëri duhet bërë një sensibilizim më i madh për barazinë në raportin mashkull-femër? Duket qartë se jemi paksa vite mbrapa krahasuar me vendet e tjera.





