Në Tropojë vendoset semafori i parë, kryebashkiaku: Kemi fluks turistësh, ndaj ishte e nevojshme

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhe Byberi thotë se në këtë qytet është rritur numri i turistëve, ndaj ishte e nevojshme vendosja e një semafori.

Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Byberi u shpreh se në Tropojë do të vendosen edhe semaforë të tjerë.

“Në Valbonë ka ardhur duke u shtuar dyndja e turistëve. Vizitorët vijnë duke u shtuar. Vetëm këtë vit kanë kaluar aty 170 mijë turistë. Sot në Valbonë janë 1 mijë shtretër, pa përmendur edhe në Alpet shqiptare se sa turistë kalojnë. Ka qenë jashtëzakonisht e domosdoshme. Kemi marrë urime nga shumë qytetarë. Është me vend semafori, do vëmë edhe të tjerë”, theksoi ai.

Vendosja e semaforit të parë mund të quhet një ngjarje për qytetin e Tropojës dhe me gjasa do të pasohet edhe nga shumë zhvillime të tjera të rëndësishme në infrastrukturë.

Kryebashkiaku i Tropojës, Rexhe Byberi deklaroi se deri katër vite më parë, në këtë qytet nuk ka pasur investime dhe nuk i është kushtuar vëmendje. Për këtë, ai nënvizoi se janë paraqitur dokumentet e nevojshme dhe pritet reagimi i institucioneve.

“Nuk është punuar, nuk i është kushtuar vëmendje. Nuk është investuar, edhe me fondet nuk është në rregull. Të gjitha investimet po bëhen me fondet e Bashkisë së Tropojës dhe grantet. Në katër vitet që kaluan, asnjë investim nuk është bërë me grantet dhe të ardhurat e bashkisë.

Po të menaxhohej më mirë, edhe puna bëhet më mirë, edhe investimi shkon aty ku duhet dhe i shërben qytetarit. Ne e kemi bërë publike këtë pjesë, i kemi dërguar letrat aty ku duhet, presim reagimin e institucioneve”, theksoi ai.