Nuk do luhet as në “Selman Stërmasi” e as në “Air Albania”, zbulohet stadiumi për Tirana-Erzeni

Sfida midis Tiranës dhe Erzenit, e vlefshme për javën e 9-ë të Superiores, është vendosur të luhet të shtunën e 22 shtatorit, në stadiumin “Elbasan Arena”, ora 17:45.

Ajo ishte planifikuar të luhej po në atë ditë, por në orën 15:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”. Mësohet se arsyeja që kjo sfidë është spostuar në Elbasan është për shkak se fusha e “Selman Stërmasit” është në gjendje të keqe.

Para derbit me Partizanin, Tirana humbi një nga lojtarët më të rëndësishëm në mbrojtje. Bëhet fjalë për kampionin e Shqipërisë, Filip Najdovskin, i cili ka humbur tri javë këtë sezon për një tërheqje në kofshë. Lojtari do të nisë stërvitjen këtë javë, teksa shpresoj që të jetë në fushën e lojës shumë shpejt.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Najdovski thotë që këto tri javë treguan Tiranën e vërtetë, ndërsa të tjerat do ta ngjisin në krye të kampionatit. Filip Najdovski do të jetë pjesë e Tiranës edhe për 2 sezonet e ardhshme. Mbrojtësi maqedonas ka rinovuar në verë me kampionët.

Filip si është gjendja juaj, sepse ju mungoni prej shumë javësh. Kur do t’ju shohim në fushë? Shërimi im po shkon mirë. Kam 2 javë që stërvitem me trajnerin e fitnesit dhe ndihem mirë. Shpresoj që këtë javë t’i bashkohem skuadrës dhe të jem në skuadër për ndeshjen e radhës. Gjithsesi, nuk dua të nxitohem.

Si e keni parë Tiranën këto ndeshjet e fundit. Keni fituar në derbi, barazuar me Laçin dhe fituar në Ballsh… Pas këtyre tri ndeshjeve e pashë Tiranën të ngjashme me atë të sezonit të kaluar. Them se pas tri javësh ne do të jemi në krye të renditjes.

Mund të bëni një krahasim mes Tiranës së këtij sezoni me Tiranën kampione të sezonit të shkuar? Epo, unë mendoj se është njësoj. Ky ekip është në të njëjtën cilësi si vitin e kaluar. Dallimi me skuadrën e kampionatit të fundit është se shumica e lojtarëve kanë qenë së bashku për një vit e më shumë. Gjithashtu skuadra ka pasur një periudhë të gjatë nga fillimi i sezonit për të konsoliduar skuadrën, ndryshe nga tani ku ka shumë lojtarë të rinj.

Po skuadra e këtij viti si është dhe paçka se kishte pak kohë po luan shumë mirë. Skuadra nuk kishte kohë për të luajtur bashkë, pasi u ndërtua vonë, por besoj se nga ndeshja në ndeshje skuadra do të jetë e njëjtë me sezonin e kaluar.

Duke ditur që një skuadër nuk ka fituar dy kampionate rresht, a mund të mbrohet titulli kampion edhe në këtë sezon?
Sigurisht që titulli mund të mbrohet. Qëllimi i klubit është të jetë në krye. Siç e thashë më lart, pas tri javësh do të duket forca jonë.

Cila skuadër është kundërshtarja reale e Tiranës në këtë kampionat? Kanë kaluar vetëm 7 javë kampionat. Për mua është herët të flasim për kampionë dhe konkurrentë. Sigurisht që çdo vit ka 3-4 klube që kanë ekipe të mira dhe kanë ambicie për kampionë.