Pas golit të djeshëm, Broja paralajmëron Milanin për të martën

Armando Broja tundi rrjetën për herë të parë në Premier Ligë me fanellën e Çelsit sot ndaj Ullvërhempton dhe për të ishte një entuziazëm i jashtëzakonshëm.

Por edhe për klubin londinez, i cili ka shpresa të mëdha se sulmuesi shqiptar të bëhet një emër i njohur në arenën ndërkombëtare.

Ndaj nuk ishte aspak e çuditshme që pas sfidës, klubi postoi në rrjetet sociale një video-mesazh të Brojës drejtuar tifozëve për këtë gol të parë dhe për të patur mbështetjen e tyre për sfidën e të martës ndaj Milanit në Ligën e Kampioneve.

“Përshëndetje tifozë të Çelsit, jam jashtëzakonisht i lumtur që shënova golin tim të parë me Çelsin. Paraqitja ishte mahnitëse nga të gjithë djemtë dhe do të shihemi në Milano të martën. Forca blutë!”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar.

Të shumta kanë qenë elozhet për Brojën pas ndeshjes, teksa një ndër ta që shprehu simpati për shqiptarin ishte dhe Tim Sherud, ish-trajneri i Totenhemit dhe Aston Vilën, që në një prononcim për “Sky Sports”, deklaroi:

“Goditja e Brojës nuk ndalej dot nga portieri. Jam i kënaqur për këtë djalë. Është ndoshta goli më i rëndësishëm që ai ka shënuar. Shënoi shumë në huazim te Sauthampton, por tani bëhet fjalë për ekipin e fëmijërisë dhe ku mund të ndërtosh karrierën. Ata kanë nevojë për një qendërsulmues dhe pse nuk mund t’i japin një mundësi këtij djali?”, deklaroi Sherud.