Pensionistët gjermanë i kthejnë përgjigjen Ramës: “Nuk vijmë në Shqipëri, as që e dimë ku i bie”

Pensionistët gjermanë nuk duan të vijnë në Shqipëri. Edi Rama i ka ftuar me shumë përzemërsi, ngaqë ky vend sot ka më shumë begati se kurrë dhe rroga mesatare e popullit ka vajtur në 2700 euro, duke konkurruar Luksemburgun.

Pleqtë në Berlin, Hamburg dhe Mynih kanë reaguar ndaj deklaratës së bërë një ditë më parë nga kryeministri, i cili në një intervistë i ftoi ata që të shijonin pensionin e tyre në trojet tona.

Disa prej tyre kanë folur për televizionin “Euronews Albania”, ku deklaruan se nuk kanë ndërmend të largohen nga vendi u tyre, për të ardhur në Shqipëri.

Ata shprehen se nuk kanë informacion se ku ndodhet Shqipëria. Nuk kanë faj. Ka plot shqiptarë, të cilët nuk dinë ku kanë shtëpinë dhe nuk e kanë nga rakia. “Unë nuk jam i informuar dhe ende nuk e di se ku është Shqipëria. Jam super i kënaqur në Gjermani dhe dua të jetoj vetëm në Gjermani”, shprehet një plak i mirë gjerman për emisionin “Sot”.

“Unë jam 73 vjeç dhe nuk kam në plan të ndryshoj diçka. E di që gjithçka do të jetë më e shtrenjtë, por marr një pension të mirë dhe kështu nuk e planifikoj largimin”, tha një tjetër.

Të tjerë thonë se e dinë, por theksojnë problematikat që ka vendi ynë. “E di ku është Shqipëria dhe i di pak problemet që ekzistojnë aty, por shiko, nuk e di nëse do ta besosh apo jo, por jam 82 vjeç dhe kam një eksperiencë të tillë. Nëse të rinjtë duan të shkojnë atje është zgjedhja e tyre, por ne ose unë si gjerman, nuk mund ta imagjinoj”.