Për të arritur sukses në Europë nuk na duhen brazilianë e të tjerë të huaj, vetëm 11 shqiptarë

Ballkani arriti të marrë fitoren e parë historike në grupet e Conference League. Kjo skuadër arriti të mposhte Sivasporin me shifrat 3-4.
Por ky triumf kishte një shije të veçantë. Të gjithë lojtarët që e nisën si titullar me Ballkanin ishin nga Shqipëria dhe Kosovë, pa futur asnjë të huaj në 11-she.
Të besuarit e trajnerit Ilir Daja e shënuan golin e fitores në minutën e 93-të me anë të Krasniqit ndërsa tekniku pas ndeshjes theksoi se suksesi i dedikohej të gjithë Kosovës ndërsa shtoi se në skuadër ka lojtarë me karakterë.
“Futbollistët e Ballkanit fitoren ua dedikojnë gjithë Kosovës dhe ngritjes së futbollit në Kosovë. Këta djem kanë personalitet, karakter. Me gjithë se kishim gjithë ato mungesa, lojtarët që u futën e vazhduan atë përpjekje që bënë lojtarët e formacionit.
Ajo që do të veçoja është që kemi prodhuar lojë dhe kemi pasur shumë situata para portës. Nëse do ishim më cinik do ta mbyllnim ndeshjen më herët. Lojtarët kanë fituar përvojë në një nivel tjetër. Karakterin sportiv këta djem e kanë në nivelin optimal.
Shpresoj që në ndeshjen e radhës të kemi përkrahjen e gjithë Kosovës. Këta djem sonte nuk kanë përfaqësuar vetëm qytetin e mrekullueshëm të Suharekës, por gjithë Kosovën”, tha Daja.





