Perandoria milionere e Ibrahimovicit! Djali i emigrantëve që ndërtoi gjithçka nga zero…

“Kur mbërrita këtu, shumë pak besuan tek ne. Por kur e kuptuam që duhet të sakrifikojmë, të vuajmë, të besojmë dhe të punojmë… kur kjo ndodhi, ne u bëmë grup dhe kur je grup, mund të arrish gjërat që kemi arritur. Tani jemi kampionë të Italisë”.

Personaliteti i Zlatan Ibrahimovic mund t’i ketë siguruar atij aq shumë admirues sa kritikues, por ajo për të cilën të gjithë bien dakord është se ai është një lider i lindur me një mentalitet fitues, i cili e ka udhëhequr Milanin drejt titullit kampion më shumë një dekadë më vonë.

Sulmuesi suedez ka përjetuar një vit të vështirë për shkak të problemeve fizike. Por 40-vjeçari nuk po mendon ende të tërhiqet, pavarësisht faktit se ka një perandori të lulëzuar biznesi, së cilës ai do t’i kushtojë shumë nga koha e tij sapo të varë këpucët.

Si fillim, Ibra është një ikonë për të cilën kompanitë vazhdojnë të luftojnë për të përfituar nga më shumë se 100 milionë ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Samsung, Very Mobile, DSQUARED2 ose Buddyfit janë disa nga kompanitë që mbushin llogarinë bankare të suedezit me kontrata sponsorizuese fitimprurëse. Por ka më shumë.

Ibrahimovic vazhdon të bëjë një ndryshim në futbollin elitar duke rritur karrierën e tij si sipërmarrës, me investime kryesisht në sport, financa dhe ushqim.

“Ibra është pothuajse më shumë biznesmen se futbollist. Kur flasim, shihet se ka mentalitetin e sipërmarrësit, ka ide dhe di t’i shesë. Ai është inteligjent, e ka promovuar veten si një personazh të fortë dhe me vetëbesim dhe e di që ky imazh funksionon.

Por në realitet ai është i qetë, është gjithmonë i disponueshëm dhe punon me përkushtim”, – tha Giorgio Pautrie, themeluesi i Dante SM, një kompani suplementesh ushqimore, partner i së cilës suedezi u bë në fund të vitit 2021.

Por përveç kësaj, sulmuesi ka investuar me sukses në fusha tenisi (të ashtuquajturat Padel Zenter, shumë i përhapur në Suedi dhe po zgjerohet edhe në Itali) dhe në kompani këshillimore financiare si Cirooo, ku marrin pjesë edhe lojtarë si Marco Verratti, me të cilin ishte shok skuadre te PSG.

Përveç kësaj, përmes kompanisë së tij Unknown AB, suedezi menaxhon markën e tij personale dhe gjithashtu ka një gamë të gjerë investimesh në sektorin e pasurive të paluajtshme, shumica prej tyre në Itali, Suedi dhe Shtetet e Bashkuara.

Nuk i ka shkuar aq mirë në sektorin dixhital, me aplikacionin Ibra Unplugged, dhe as angazhimi i tij në modë, pasi linja e tij e veshjeve ishte një fiasko dhe gama e tij e aromave nuk është edhe aq e njohur.

Megjithatë, futbollisti mund të mburret se ka qenë rregullisht pjesë e listës së Forbes sa u përket sportistëve më të paguar dhe të ardhurat e tij aktualisht janë rreth 40 milionë euro në vit (paga te Milani, marrëveshjet e sponsorizimit dhe fitimet nga biznesi).

Të ardhura që i lejojnë atij të ketë një jaht me vlerë 8 milionë euro ose një koleksion mbresëlënës makinash sportive nga marka të tilla si Ferrari apo Porsche. Një gjeni brenda dhe jashtë fushës.

(SUPERSPORT)