Përse nuk po nis hetimi ndaj Sali Berishës pas shpalljes non-grata nga SHBA? Ish-kryeprokurori i njohur shqiptar tregon çfarë e mban peng këtë lëvizje të drejtësisë

Ish-kryeprokurori Arben Rakipi deklaron se shpallja e personave “non grata” apo dhe raporti i DASH mbi zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet e qeverisjes duhet të kishin vënë në lëvizje disa struktura të drejtësisë, përfshi edhe Byronë Kombëtare të hetimit.

I shkëputur nga detyra funksionale që lidhen drejtpërdrejtë me hetimin dhe tashmë në rolin e drejtorit të shkollës së magjistraturës, ish-kryeprokurori Arben Rakimi e sheh me skepticizëm atë që po ndodh me reformën dhe në veçanti me pavarësinë e prokurorëve.

Mungesën e një hetimi për personat e shpallur “non grata”, mes të cilëve edhe Sali Berishën, ish-kryeprokuriori e sheh të lidhur me vonesën në ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pa përjashtuar përgjegjësinë që ka çdo prokuror apo dhe vetë policia për të nisur verifikimet dhe hetimit.

“Ekziston mundësia që kompetenca të jetë tjetërkund, për rrjedhojë që kjo strukturë policore, Byroja Kombëtare e Hetimit të mund të analizojë të gjithë të dhënat apo elementë të ndryshëm, që të jenë lëndë penale, të nxjerrin konkluzionet e tyre.”, u shpreh ai.