Prokuroria kërkoi burgosjen e binjakëve Veshaj, Gjykata e Lartë i shpëtoi

Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë vendosi që të linte në fuqi vendimet e dy shkallëve të gjyqësorit të Vlorës për dënimin me burg të dy vëllezërve Romeo dhe Donald Veshaj.
Ishte një kërkesë e prokurorit të Apelit të Vlorës që i kërkoi kësaj Gjykata të shfuqizonte vendimin e shkallës së parë dhe të Apelit për dënimin me shërbim prove për djemtë dhe t‘i kthente në dënim me burg për shkak të veprës së rëndë që kishin kryer.
Gjykata e Lartë ka vendosur në 27 maj të mos pranojë rekursin e Prokurorisë së Vlorës, e cila kërkonte dënimin e tyre me burg për veprën penale të plagosjes së rëndë me dashje të një shtetasi.
Rekursi është bërë nga prokurori i Prokurorisë së Apelit të Vlorës, Pelivan Malaj, i cili kërkonte që dy vëllezërit të kryejnë dënimin në burg dhe jo t’u pezullohet ashtu si ka vendosur Gjykata e Vlorës dhe Gjykata e Apelit.
Dy gjykatat shpallën fajtorë dy vëllezërit për plagosje të rëndë me dashje të kryer në bashkëpunim dhe i dënuan me 2 vite burg por në bazë të nenit 59 të Kodit Penal urdhëruan pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim.
Pavarësisht kundërshtimit të Prokurorisë ky vendim ngelet në fuqi pasi Gjykata e Lartë nuk e ka pranuar rekursin e organit të akuzës.







