Prokurorja e Shkodrës Marsida Frashëri del nesër në vetting

Prokurorja e Shkodrës Marsida Frashëri do të përballet të martën më 10 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo dhe Valbona Sanxhaktari.
Marsida Frashëri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe pas një periudhe stazhi në Prokurorinë e Durrësit, u emërua si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Shkodër. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Në deklarimin për të herë të parë në vitin 2009, prokurorja Marsida Frashëri zotëronte pasuri prej rreth 45 mijë lekësh, ndërsa në fund të vitit 2018, pasuria e saj kap vlerën e 500,200 lekëve. Ajo deklaron kursime në cash në vlerën e 500 mijë lekëve si dhe likujditete bankare prej 200 lekësh.
Të ardhurat për periudhën deklaruese janë 9 milionë lekë dhe kanë si burim në 100% të tyre të ardhurat e siguruara nga paga si prokurore.
Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’ që identifikohen gjatë kontrollit. Nga kontrolli aritmetik/logjik për 10 vite, asnjë prej deklaratave nuk rezultoi me probleme. /Birn





