Pse i shkoi Ilir Meta në zyrë sot Berishës?

Kryetari i Partisë më të re në Shqipëri, Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka zhvilluar sot, pra mëngjesin e së martës, një vizitë në selinë e Partisë Demokratike, ku është takuar me Sali Berishën.
Sipas të dhënave paraprake, mendohet se temë e diskutimit kanë qenë zgjedhjet e ardhshme lokale dhe mundësia që opozita të prezantohet me kandidatë të përbashkët në këtë garë elektorale, si dhe protestat e paralajmëruar më herët kundër qeverisë së Edi Ramës.
Takimi ka zgjatur vetëm 20 minuta, ndërkohë që ende nuk ka një reagim zyrtar nga të dyja palët. Ishte një takim mjaft formal dhe i paralajmëruar për mediat e kryeqytetit.
Një ditë më parë, Berisha e ka lajmëruar vetë se do të zhvilloje takime me të gjithë aleatët e PD në këto 2-3 ditë, për të diskutuar rreth propozimit që ata kanë për zgjedhjet lokale të vitit 2023.
Të hënën, në orët e vona të Parlamentit, Berisha është takuar me Fatmir Mediun në ambientet e Kuvendit, ku kreu demokrat është shprehur se është dakord me propozimin për të dalë me një kandidaturë të përbashkët, por primaret do të jetë procesi që do të nxjerrë këto kandidatura.
Se si do të jenë zgjedhjet lokale, këtë askush nuk e di. Parashikime nuk mund të bëhen, sepse zgjedhjeve nuk u dihet kurrë. Fitofshin ata që e meritojnë!





