Pushtimi rus në Ukrainë/ Sulm me bombë në një shkollë në Luhansk, 60 persona humbin jetën poshtë rrënojave

Gjashtëdhjetë persona dyshohet se kanë vdekur pas një sulmi ajror në një shkollë mbrëmjen e djeshme në Luhansk të Ukrainës.
Gjithsej brenda shkollës ishin strehuar 90 civilë, ndërsa autoritetet njoftuan se përpara bombardimeve kishin mundur të nxirrnin prej aty 30 persona. Serhiy Hayday, kreu i Administratës Ushtarake Rajonale të Luhanskut, njoftoi se trupat ruse bombarduan shkollën gjatë operacionit të shpëtimit të tyre, dhe 60 viktimat e dyshuara mbetën poshtë rrënojave, raporton CNN.
Deri më tani janë nxjerrë vetëm trupat e dy prej tyre, ndërsa vijon puna për nxjerrjen e të tjerëve, teksa shpresat për të mbijetuar janë të pakta.
Rusia i ka përqëndruar trupat e saj në lindje të Ukrainës, ndërsa ofensiva dështoi në Kiev dhe rajonet rreth tij. Sipas raporteve nga SHBA, pritet që Putin të urdhërojë një mobilizim të plotë të ushtrisë më 9 maj, e njohur si “Dita e fitores” për rusët duke iu referuar fitores ndaj nazistëve në Luftën e Dytë Botërore. Megjithatë, këto zëra janë hedhur poshtë nga Moska zyrtare.





