Roma me mendjen nga Leicester, Bologna ndal një tjetër skuadër të madhe

Pasi mposhti Interin në mesjavë, Bologna ndal një tjetër emër të madh të Serie A, pasi ka barazuar 0-0 në “Olimpico” përballë Romës. Një ndeshje e bukur dhe me raste të shumta shënimi është zhvilluar në kryeqytet, por asnjëra nga skuadrat nuk ka arritur që të gjejë rrugën e rrjetës.

Roma ka menduar më shumë për ndeshjen e Conference League, pasi disa lojtarë të rëndësishëm kanë qëndruar në stol, ndërsa Bologna ka treguar se nuk bën kompromis me asnjë, sepse vazhdon të marrë pikë përballë skuadrave të kreut (ka barazuar me Milanin dhe Juventusin në transfertë). Roma ngjitet në vendin e 5-të në renditje në kuotën e 59 pikëve, po aq sa rivalët e Lazios.

Mourinho ka bërë shumë ndryshime në formacion, duke ruajtur disa lojtarë për gjysmëfinalen e Conference League kundër Leicesterit. Në “Olimpico” zhvillohet një pjesë e parë e bukur dhe me raste, por pa gola. Bologna rrezikon e para me Arnautovic, por gjuajtja e tij pritet me lehtësi nga portieri Rui Patricio.

Roma fillon të dominojë gradualisht dhe shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare me Zaniolo dhe Carles Perez, por Skorupski është shpëtimtari i skuadrës së tij dhe ruan portën e Bolognas të paprekur. Në fund të pjesës së parë miqtë rrezikojnë me Orsolinin, por gjuajtja e tij pritet nga Rui Patricio.

Roma nis me vrull pjesën e dytë në kërkim të golit të fitores, por Bologna mbrohet mirë dhe zbret rrezikshëm në kundërsulm. Verdhekuqtë i afrohen golit të avantazhit me Kumbullën, që kërcen më shumë se të gjithë dhe godet me kokë, por Skorupski në superformë i mohon golin lojtarit shqiptar.

Mourinho hedh në fushë forca të reja. Roma shton presionin dhe loja zhvillohet në mesfushën e Bolognas. Provon edhe Abraham, por gjuajtja e tij përfundon jashtë. Rrezikojnë miqtë me Lorenzo De Silvestri, por Rui Patricio nuk lejon që topi të shkojë në rrjetë.

Pellegrini rrezikon për vendasit në kohën shtesë, ndërsa miqtë përgjigjen me Musa Barrow, që godet traversën. Mbyllet në barazim pa gola sfida e “Olimpicos” mes Romës dhe Bolognas.

Foto: AS Roma Twitter