Sadiku tha se Kombëtares i mungon grupi, i kundërpërgjigjet Duka: Thotë kështu ngaqë nuk po luan më

Armand Duka ka folur për emisionin “Ora Sport” në “Ora TV”, ku temë e diskutimit ka qenë Kombëtarja shqiptare. Presidenti i FSHF-së vlerëson kualitetet në ekipin e Shqipërisë dhe kualifikimin për një kompeticion madhor e sheh si majën në karrierën e një lojtari.
Më tej Duka i është përgjigjur edhe pyetjes për deklaratën e fundit të Sadikut, i cili është i mendimit se te kuqezinjtë mungon grupi dhe dëshira për të djersitur për fanellën e Kombëtares.
Kreu i Federatës Shqiptare është shprehur se sulmuesi i Kartagjenës ndodhet jashtë ekipit kombëtar momentalisht dhe për këtë arsye ka krijuar këtë përshtypje.
Gjithashtu Armand Duka ka folur edhe për hipotezën se lojtarët e “Abissnet Superiore”-s ndihen të lënë pas dore nga Kombëtarja, duke e quajtur këtë vetëm një thashethem gazetaresk, teksa rendit edhe emrat e dalë nga kampionati shqiptar dhe që sot janë në urdhërat e Rejës.
Deklarata e Sadikut për mungesën e grupit në Kombëtare? Besoj që Sadiku po të ishte brenda në këtë ndeshje do të thoshte po të njëjtën gjë, por ngaqë ka qenë jashtë ka menduar ndryshe.
Asllani impenjohet më shumë me Interin? Nuk më ka rënë në sy kjo gjë që mund të ketë më shumë impenjim të Asllanit apo ndonjë tjetri. Mbase ka pasur më pak fat në nacionale se sa me skuadrën.





