Selia blu/ Nesër mblidhet grupi parlamentar, pritet vendim mbi procesin e zgjedhjes së presidentit!

Mesditën e së hënës, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike shpreson të dalë me një vendim për procesin e Presidentit të Ri.

Për këtë arsye, në orën 14:00 grupi i PD do të mblidhet sërish për të diskutuar mbi propozimet e deputetëve, të cilëve Enkelejd Alibeaj i ka lënë afat të fundit mbrëmjen e së dielës për të dërguar me shkrim kriteret që duhet të plotësojë zëvendësuesi i Ilir Metës.

Por pavarësisht se ende nuk janë unifikuar në një qëndrim, shumica e deputetëve janë kundër bojkotit të procesit.

Më mbledhjen e shkuar të grupit parlamentar, deputetë Lefter Gështenja, Kreshnik Çollaku, Saimir Korreshi e Ferdinand Xhaferraj deklaruan se PD duhet të ulet në negociata dhe duhet të ketë emra të propozuar prej saj për kreun e ri të shtetit.

Nga ana tjetër, Komisioni i Rithemelimit mohon kategorikisht uljen me socialistët në tryezë për presidentin, ndërsa të premten ata miratuan edhe një rezolutë që ndalon marrjen pjesë të opozitës në proces, në rast se emri nuk propozohet prej saj.

Sakaq nesër pritet që të mblidhet edhe Komisioni Operacional Zgjedhor, për të verfikuar dokumentacionin e kandidatëve të cilët kanë depozituar dokumentat, për kreun e PD-së.