Shehi: Titulli i parë me Tiranën shijon më shumë, krenar që jam pjesë e këtij klubi

Orges Shehi fiton titullin e tij të parë si trajner në krye të Tiranës, që fiton trofeun e 26-të në historinë e klubit. Tekniku i bardhebluve ka treguar emocionet e këtij suksesi në emisionin “Gol pas Goli”:
“Gjithë merita u shkon këtyre djemve, që kanë qenë të palodhur duke u stërvitur, që prej datës 5 korrik. Ndoshta janë mërzitur dhe më kanë duruar shumë, sepse gjatë kampionatit kemi ndryshuar shumë skemën dhe strategjitë. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi dhe është privilegj i madh për mua, që punoj me këta lojtarë.
Është e vërtetë që në tre ndeshjet e fundit nuk kemi qenë aty ku duhet dhe kjo prej shumë faktorëve, si terrenet, motivimi etj., por sot donim të bënim diçka të bukur. Patëm probleme me mungesat, por ata që luajtën u angazhuan mirë. Edhe pasi kaluam në disavantazh, luajtëm me qetësi dhe nuk e humbëm toruan, duke ia dalë të shënojmë dy herë dhe të marrim një fitore mjaft të bukur, që na kurorëzoi kampionë.
Pas tre ndeshjeve të para nuk ishim mirë, por formuam grupin dhe rritëm besimin. Më pas nisëm të fitojmë edhe me mungesa, duke kuptuar se sa të fortë jemi dhe çfarë grupi kemi krijuar. Edhe ne kemi pasur vështirësi, ndonëse i kemi mbajtur përbrenda. Vetëdija jonë u rrit ndjeshëm pas ndeshjes së dytë të fazës së dytë, ku kuptuam se vetëm ne mund ta humbim këtë titull.
Për kontratën nuk më pëlqen të diskutoj, pasi edhe lojtarët, edhe klubi duhet të festojnë tani dhe më vonë do të reflektojnë e të shohim si do veprojmë.
Unë jam munduar të mbaj të gjithë afër, por sigurisht që ka pasur lojtarë të caktuar si Limaj, që e kam marrë vetë nga Kukësi, Ilioni e Hoxhallari që i kam njohur shumë më herët, etj.
Titulli i parë me Tiranën shijon më shumë, pasi është një punë e madhe, ku duhet të përgatitesh vetë, pro të mendosh edhe për të tjerët. Është një kënaqësi e trefishtë dhe më shijon më shumë se titujt që kam fituar si portier.
Dedikimi shkon për familjen time, për bashkëshorten time, dy fëmijët dhe nënën. Më pas shpërndahet te futbollistët, drejtuesit dhe sidomos tifozët, pasi nuk ka qenë e lehtë për mua. Skepticizmi ka qenë i madh dhe unë madje kisha edhe sfidë me veten, ndaj jam i kënaqur që bëra tifozët për vete, pasi fatkeqësisht nuk kam luajtur asnjëherë për Tiranën”, ka thënë mes të tjerash Shehi. / Oversport.tv





