Shqiptari ishte një nga arbitrat e takimit Celtic-Real M: Ndeshja ime e pestë në grupe në Champions League, por si këtë herë…

Një arbitër shqiptar ishte pjesë e trupës gjykuese në përballjen mes Celtic-ut dhe Realit të Madridit. Bekim Zogaj kreu me sukses rolin e gjyqtarit anësor në këtë sfidë të vlefshme për fazën e grupeve në Champions League.
Tifozët skocezë ishin kujdesur që të ofronin një atmosferë të jashtëzakonshme në tribunat e stadiumit, çka i ka bërë përshtypje edhe Zogajt.
Ky i fundit ka dhënë një prononcim për “GazetaBlic Sport“, ku tregon ndjesitë e tij për këtë ndeshje. “Ndjenja ishte natyrisht e veçantë, me stadiumin e stërmbushur (më shumë se 57 mijë tifozë) ‘të zjarrtë’.
Atmosfera ishte briliante. Ishte ndeshja ime e pestë në grupe në Champions League. Ndeshje shumë e drejtë dhe shumë korrekte“, ka thënë Bekim Zogaj.
Vitet e fundit, UEFA iu ka besuar sfida të rëndësishme arbitrave shqiptare, qoftë në kompeticionet për klube qoftë ato për kombëtare.
Në takimin që po luhet tani në “San Siro” mes Interit dhe Bayernit, i mirënjohur Sokol Jareci është i deleguari i UEFA-s për këtë ndeshje.





