Shuhet ikona e kinematografisë botërore me origjinë shqiptare! E pytën çfarë gjuhe është kjo që flet? Gjuhën e nënës iu përgjigj ajo

Ka mbyllur sytë përgjithmonë, Irene Pappas, aktorja me origjinë shqiptare që lulëzoi në Greqi por u njoh në mbarë botën. Irene ishte ndër të paktat aktore në Greqi që shkëlqeu në të gjithë botën. E lindur më 3 shtator 1926 në Chiliomodi, Korinth, ajo kishte mbiemrin shqiptar të babait të saj, Leleku.

Në 96 vite jetë, Irene luajti në 90 filma, por më si spikaturi ishte roli i Penelopes në serinë televizive italiane “Odissea” bashkë me legjendën e artit kinematografik, Bekim Fehmiu.

“Nuk mund të largohem nga kjo botë, e të mos e them të vërtetën, se unë jam Shqiptare! Kur kam lindur në vitin 1926 mbiemri im ka qenë Irene Leleku”- ishte deklarata e fortë e aktores 6 vite më parë që tronditi Grekët, të cilët e njohin si aktore me origjinë helenase. Origjina shqiptare e aktores së njohur është kundërshtuar shpesh, sidomos nga biografët grekë.

Prejardhjes së saj shqiptare i ka kushtuar vëmendje dhe studiuesi grek Aristidh Kollia në librin e tij “Arvanitasit dhe origjina e grekëve” botuar në Athinë më 1983.Vetë aktorja në një intervistë e pyetur se përse ishte kaq esmere është përgjigjur se “I ngjaj nënës sime. Nëna ime ishte ezmere si unë”.

“Po flas gjuhën e nënës”! Gjatë xhirimeve të filmit legjendar “Odissea” në vitin 1968, në momente pushimi të dy aktorët kanë qenë duke biseduar në një gjuhë që nuk ishte e askujt tjetër nga trupa e filmit. Të pushtuar nga kureshtja, njëri prej tyre i pyet:

-“Më falni, por cila është gjuha që ju po e flisni”? Irena Papas (Irini Leleku) e prek në dorë Bekim Fehmiun, që ta linte të përgjigjej: -“Është gjuha e nënës”! -“Gjuha e nënës? Po cila mund të jetë ajo gjuhë e nënës kur ju jeni greke e Bekim Fehmiu jugosllav”? – i pyet gazetari.

-“Unë jam shqiptare nga Greqia kurse Bekimi shqiptar nga Jugosllavia por më e rëndësishmja është se ka qenë vullneti i vetë Zotit që ne të dy t’i luajmë këto dy role sepse dikur edhe vetë Penelopa dhe Odiseu kanë folur po të njëjtën gjuhë që e flasim unë e Bekimi sot”.