Shumë mungesa, Reja ka gati formacionin ndaj Izraelit! Veseli titullar (foto)

Duke parë listën e mungesave të konfirmuara, trajneri 76- vjeçar është i kushtëzuar të provojë një formacion “emergjence”.
E quajmë kështu pasi një pjesë e mirë e titullarëve janë jashtë. Ndërkohë teksa shikojmë grupin e lojtarëve, një formacion i mundshëm do të ishte kështu:
Në portë Tomas Strakosha, në mbrojtje mund të rreshtohen Ismajli, Gjasula dhe një mes Veselit dhe Ajetit. Krahët do t’i mbulojnë Balliu dhe Hysaj, ndërkohë në mesfushë pritet Ramadani me Abrashin. Përpara tyre Nedim Bajrami dhe në sulm Broja me Cikalleshin.
Dëmtimet e Endri Çekiçit dhe Keidi Bares kanë krijuar vështirësi të mëdha për Edi Rejan, i cili është detyruar që të ndryshojë përsëri listën e përfaqësueses dhe planet e tij për lojën e kuqezinjve.
Të dy mesfushorët ishin planifikuar si titullarë të mundshëm për shkak të formës që po kalojnë, për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Islandës, por ata e kanë të pamundur të jenë të pranishëm për këtë duel. Ndaj Reja ka thirrur në vend të tyre mesfushorët Enis Çokaj dhe Arbnor Muçolli.
Çokaj ka qenë edhe më parë rregullisht pjesë e përfaqësues shqiptare, teksa regjistron 3 prani në fushën e lojës me fanellën kuqezi, më e fundit në miqësoren ndaj Estonisë ku ishte titullar. Pikërisht në atë ndeshje bëri debutimin e tij me fanellën kuqezi edhe Arbnor Muçolli, i cili shihet si një alternativë më shumë për lojën ofensive në mesfushë.





